
Një gjykatë franceze ka refuzuar kërkesën për qëndrimin e familjes së një nxënëse shkolle të komunitetit rom, deportimi nga Franca i së cilës shkaktoi protesta në Paris.
Gjykata e qytetit lindor të Besancon la në fuqi dëbimin e 15-vjeçares Leonarda Dibrani, prindërve të saj dhe 6 të afërmve të tjerë, drejt Kosovës, gjatë Tetorit të vitit të kaluar.
“E ardhmja ime mori fund sot”, tha Leonarda, e cila aktualisht jeton në Mitrovicë.
Deportimi i Leonardës shkaktoi protesta masive studentësh, pasi ajo u nxor me forcë nga autobusi i shkollës së saj. Pas përplasjeve, presidenti francez, Francois Hollande, i ofroi Leonardës një marrëveshje kompromisi: të rikthehej në Francë e vetme, pa familjen e saj, por ajo e refuzoi këtë ofertë.
Të martën, gjykata e Besancon la në fuqi një vendim të mëparshëm nga një gjyqtar publik, i cili theksoi se vendimi i autoriteteve lokale për dëbimin e familjes Dibrani ishte i justifikueshëm, pasi ata nuk bënë aspak përpjekje për t’u integruar në shoqërinë franceze.
Familja Dibrani mund të apelojnë kundër vendimit të fundit të gjykatës.
***
Familja Dibrani u largua nga Kosova drejt Francës 5 vite më parë, duke u vendosur në Levier, në rajonin Doubs të Francës lindore. Ata kishin cituar diskriminimin në Kosovë si bazë për të përfituar azil.
Një urdhër për dëbimin e tyre u lëshua menjëherë pasi ata e humbën betejën për azil. Pas dy shtyrjeve për ekzekutimin e vendimit, familja u dëbua më 9 Tetor me një aeroplan drejt Prishtinës. Që prej atëherë, ata jetojnë në qytetin e Mitrovicës.
Kritikët akuzuan administratën e presidentit Hollande, se kishte ndjekur linjën e ashpër ndaj komunitetit rom, ashtu siç kishte bërë edhe paraardhësi i tij, Nicolas Sarkozy.
Rreth 20 mijë pjesëtarë të komunitetit rom janë zhvendosur për në Francë, shumica e të cilëve vijnë nga Rumania, Bullgaria dhe vende të tjera të ish-Jugosllavisë, apo edhe Kosova.
Top Channel