Pas reagimeve të shumta për arrestimin e liderit serb, Oliver Ivanoviç, ka reaguar shefi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Jonathan Rathel.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Rathel sqaron punën hetimore në procesin gjyqësor kundër Oliver Ivanoviç dhe hedh poshtë zërat se, për këtë rast ka pasur udhëzime politike.

“Udhëzimi i vetëm vjen nga ligji”, ka thënë Rathel. Duke folur për këtë rast, shefi i prokurorisë speciale tha se intervistimi, e më pas arrestimi i Ivanoviç, ka ardhur pas punës njëvjeçare të prokurorisë në mbledhjen e dëshmive.

Kryeprokurori ndërkombëtar rikonfirmoi se Ivanoviç u intervistua në lidhje me pretendimet për krime lufte në vitin 1999, dhe për incidentet pas konfliktit të vitit 2000, duke përfshirë vrasje të rënda.

“Edhe pse nuk ka nevojë të ngritet një aktakuzë deri në Shkurt 2015, ekziston një supozim në ligj, i cili thotë se një person, i cili është në pritje të gjykimit dhe është në paraburgim, mund të presë që rasti të shqyrtohet me kohë”, thotë deklarata e shefit të prokurorisë speciale të EULEX-it.

Top Channel