Turqi, Gulen: Asnjë fushatë anti-Erdogan

27/01/2014 15:10

Fethullah Gulen, kleriku islamik i konsideruar si kundërshtari kryesor i kryeministrit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mohoi që të jetë duke përdorur ndikimin e tij për të goditur qeverinë me çështje korrupsioni në nivelet më të larta.

Gulen, i cili jeton në një azil të vetimponuar në SHBA, foli në intervistën e parë në 16 vjet për “BBC” gjatë së hënës.

Ai mohoi akuzat se ka urdhëruar ndjekësit e tij në gjykata dhe polici që të nisin një hetim të gjerë, për të goditur disa prej figurave kyçe të qeverisë së Erdoganit.

Gulen udhëheq lëvizjen opozitare “Hizmet”, që do të thotë “shërbim”.

Kjo lëvizje propagandon një formë më tolerante të islamit, vendos theksin tek edukimi, altruizmi dhe puna.

Për shkak të miliona ndjekësve brenda dhe jashtë Turqisë, 74-vjeçari Gulen ka fituar një pozicion vendimtar në shoqërinë turke, ndërsa konsiderohet gjerësisht si i vetmi person në gjendje që të sfidojë pushtetin e Erdoganit.

Vetë Erdogani ka akuzuar ish-aleatin e tij Gulen për nisjen e një fushatë anti-qeveritare.

Në Turqi, katër ministra kanë dhënë dorëheqjen, për t’i hapur rrugë hetimeve për korrupsion që kanë nisur ndaj tyre.

Top Channel