Të enjten, në Kuvendin e Kosovës do të raportojë komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi deklaroi se nga ky raportim do të mësohet nëse do të ketë zgjedhje me apo pa reformë.

“Problem është që reforma zgjedhore sipas një rezolute që është miratuar menjëherë pas konstituimit të institucioneve të Kosovës në vitin 2011 është dashur të përfundonte. Por tani jemi këtu ku jemi dhe gjithçka do të varet shumë nga vullneti i partive politike të përfaqësuara në Kuvend”, deklaroi Krasniqi.

Shefi i grupit parlamentar të PDK, Adem Grabovci tha se nuk do të ketë reformë zgjedhore pa një marrëveshje politike, pra do të ketë takime mes liderëve. I pyetur nëse do të ketë zgjedhje parlamentare në qershor ose shtator, ai u shpreh skeptik duke pasur parasysh proçedurat.

“Kjo reformë nuk do të përfundojë pa një marrëveshje politike. Këtë duhet ta kemi të gjithë të qartë. Ne mund të diskutojmë vazhdimisht edhe me muaj edhe me vite, por pa një marrëveshje politike nuk mund të ketë përfundim”, theksoi Grabovci.

Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri nga ana tjetër kërkoi nga komisioni ad-hoc që të ketë raport më të detajuar, pasi ai paraprak sipas tij ishte joserioz.

“Pse disa çështje të cilat është dashur të diskutohen nuk janë diskutuar? Pra, cilat kanë qenë pagesat e punës së këtij komisioni? A kanë qenë ato pengesa politike, brenda Kuvendit apo jashtë Kuvendit”, u shpreh Ymeri.

Ndërsa përsa i përket deklaratave të kryeministrit Hashim Thaçi për ndryshime kushtetuese në lidhje me vendet e rezervuara, për kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe opozitën një gjë e tillë është e papranueshme.

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Thaçi pak ditë më parë e ftoi spektrin politik në Kosovë që të bëjnë bashkarisht reformat e nevojshme ligjore, që prekin ligjin për zgjedhjet nacionale në disa fusha, brenda shkurtit.

Sipas tij, fushat ku duhet të punohet janë: Përcaktimi i kohëzgjatjes së fushatës elektorale; përcaktimi i numrit të kandidatëve në listat zgjedhore; përcaktimi i pragut zgjedhor; dhe përcaktimi i së drejtës për votim me kusht dhe çështje të tjera të rëndësisë së përbashkët të të gjithë spektrit politik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA