Gjenevë, pa marrëveshje për Homsin

27/01/2014 00:00

Nuk ka marrëveshje për Homsin në Gjenevë të Zvicrës dhe as përparim të negociatave mes përfaqësuesve të regjimit sirian dhe atyre të opozitës.

Bisedimet, në fakt, kanë mbetur në vendnumëro, duke zbehur entuziasmin e së dielës mbi një pakt të mundshëm evakuimi të grave dhe fëmijëve nga qyteti i rrethuar, e duke mos përcjellë asgjë të re për kë shpreson në një zgjidhje paqësore të konfliktit të përgjakshëm.

I dërguari i OKB-së, Lakhdar Brahimi, e pranoi se pavarësisht pritshmërive, as kjo ditë nuk prodhoi ndonjë zhvillim madhor.

“Druhem se nuk ka shumë për të raportuar. Sa i takon largimit të grave e fëmijëve nga Homsi, mendoj se vullneti i qeverisë për ta bërë realitet një gjë të tillë nuk mungon, por ekzistojnë disa probleme, siç është çështja e snajperave”, tha Lakhdar Brahimi, ndërmjetës i OKB-së.

Nga ana e regjimit pati kërkesë edhe për një listë emrash të meshkujve, që duan të largohen nga Homsi, ide kjo që, me të gjitha gjasat, nuk do të mirëpritet nga grupet e opozitës.

I konsideruar kryeqyteti i rebelimit, Homsi është një prej qyteteve më të goditura gjatë konfliktit pothuajse trevjeçar. Bilanci i saktë i vdekjeve është i panjohur dhe shkalla e vuajtjeve njerëzore, e vështirë për t’u imagjinuar.

Ndërsa në Gjenevë tentohej arritja e një marrëveshje, nga qyteti fantazëm i shkatërrimit mbërrijnë raportet e katër vdekjeve nga uria; një nga viktimat fëmijë i mitur.

Bisedimet e paqes rinisën në Gjenevë mëngjesin e së hënës, por, si media shtetërore siriane, ashtu edhe delegatë të opozitës më vonë, raportuan se deklarata e parimeve, e prezantuar nga përfaqësues të ekzekutivit, ishte refuzuar nga kundërshtarët.

Dokumenti kërkonte nga sirianët zgjedhjen e një sistemi politik “pa formula të imponuara” nga jashtë, një referim i qartë ky ndaj përpjekjeve për largimin e Bashar al-Assad-it, ndërsa këmbëngulte nga ana tjetër të diskutohet për “terrorizmin”, më shumë se sa për transferimin e pushtetit.

Për kryenegociatorin e opozitës siriane, Hadi al-Bahra, deklarata ishte krejtësisht jashtë kornizave të Gjenevës dhe nuk e prekte aspak çështjen kryesore, për të cilën të dyja palët janë thirrur në tryezën e negociatave.

Brahimi është përpjekur në disa raste ta bëjë të qartë se këto bisedime do të shënojnë vetëm fillimin e një procesi të ngadaltë e të vështirë, por shtoi se kjo në vetvete nuk është diçka negative, nëse i shërben përpjekjeve për arritjen e një progresi të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta