
Njëri nga politikanët më aktivë të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviç, është arrestuar nga EULEX si i dyshuar për krime lufte dhe vrasjen e një personi pas periudhës së luftës.
Ai është mbajtur për më shumë se gjashtë orë në bazën e EULEX-it në Mitrovicë, ku është intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të prokurorisë speciale të Kosovës.
Zyra për shtyp e EULEX njoftoi se, pas intervistimit, prokurori ndërkombëtar ka ekzekutuar urdhrin për arrestim dhe kërkoi nga gjykata, që të merrte në konsideratë kërkesën për paraburgim.
Ivanoviç, pas një marrëveshjeje me prokurorin ndërkombëtar, fillimisht në koordinim edhe me avokatin e tij, ishte vetëdorëzuar tek EULEX.
Ndonëse zyrtarisht nuk janë bërë të njohura veprat penale, të cilat rëndojnë mbi politikanin serb, burimet jo zyrtare thonë se ai dyshohet si pjesëmarrës në kryerjen e disa krimeve, në Prill të vitit 1999, në Mitrovicë.
Sa i përket vrasjes së pasluftës, emri i Ivanoviç jo rrallë herë është përmendur si i përfshirë në dëbimin masiv të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës, në Shkurt të vitit 2000, si dhe vrasjen e 10 shqiptarëve.
EULEX pati konfirmuar më herët për Top Channel se Oliver Ivanoviç është duke u hetuar për këtë çështje.
Ndryshe nga akuzat e sotme, Ivanoviç konsiderohet si njëri nga politikanët më liberalë të serbëve dhe lidhjet e tij me institucionet e Kosovës kanë ekzistuar gjithmonë. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e dytë, e më pas edhe përfaqësues për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Në zgjedhjet e 3 Nëntorit, ai garoi për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore.
***
Prokuroria e EULEX-it ndalon për intervistim kandidatin për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore Oliver Ivanoviç. Ivanoviç hetohet për krime lufte dhe dyshohet si autor i një vrasje të rëndë. Ai është paraqitur vullnetarisht dhe është marrë në pyetje nga prokurorë të EULEX-it.
“Sot gjatë ditës Oliver Ivanoviç është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe përfaqësuesit ligjor i Oliver Ivanoviqit. Prokurori pastaj ka zhvilluar një intervistë me Oliver Ivanoviqin, si i dyshuar në një hetim për krime të luftës, së bashku me akuzat për vrasje të rëndë të kryer pas konfliktit. Intervista ka përfunduar dhe prokurori ka ekzekutuar urdhrin për arrestim, dhe është duke kërkuar nga gjykata që të marrin në konsideratë kërkesën për paraburgim. Aktualisht kërkesa për paraburgim i është paraqitur gjykatës dhe kjo është e gjitha që mund të themi për momentin”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Ndërkohë forca politike e Oliver Ivanoviç i ka cilësuar hetimet si të motivuara politikisht.
Top Channel