Ankara, akuza Shteteve të Bashkuara

27/01/2014 00:00

Thellimi i skandalit të korrupsionit në Turqi po tendos marrëdheniet me Shtetet e Bashkuara. Për Ankaranë, hetimi është një konspiracion ndërkombëtar dhe akuzon për përfshirjen edhe Uashingtonin.

Mediat pro-qeveritare po fajësojnë ambasadorin amerikan Francis Ricciardone dhe bëjnë thirrje për dëbimin e tij nga Turqia. Analisti i çështjeve politike, Cengiz Aktar i Forumit të Stambollit mbi Politikat thotë se “kjo gjuhë ka vështirësuar marrëdhëniet mes aleatëve të ngushtë.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të pakënaqura me kritikat anti- amerikane që po përhapen në këtë vend”. Qeveria turke akuzon klerikun Islamik Fethullah Gylen, dikur aleat i ngushtë i saj, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara për organizimin e hetimeve për korrupsion.

Lëvizja e tij e njohur si ‘Cemaat’, dyshohet se ka shumë simpatizantë që punojnë në sistemin gjyqësor në Turqi. Kadri Gursel, gazetar që mbulon çështjet diplomatike për gazetën turke ‘Milliyet’ dhe faqen e internetit të ‘Al – Monitor’ thotë se “nëse politikëbërësit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, AK nuk do të kishin dallime me administratën e presidentit Obama, duke nisur nga Egjipti, Izraeli, Siria dhe Iraku, njerëzit e lëvizjes Cemaat nuk do të lejoheshin të sulmonin qeverinë turke siç po bëjnë tani. ‘Qendra e lëvizjes është në Shtetet e Bashkuara e jo në Turqi’, thotë ai.

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel pritet të vizitojë Turqinë në fund të janarit. Synimi i Ankarasë për të blerë raketa kineze pritet të jetë në axhendën e takimeve dypalëshe dhe mund të jetë një tjetër pikë tensioni midis dy aleatëve.

Analistët theksojnë se duke marrë parasysh hyrjen e partisë AK në një cikël 18-mujor zgjedhjesh, qëndrimet e ashpëra ndaj Uashingtonit zakonisht priten mirë nga përkrahësit e saj konservatorë në rajonet rurale dhe për këtë arsye ato mund të vazhdojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA