Siria, “marrëveshje” për civilët në Homs

26/01/2014 00:00

Siria do të lejojë gratë e fëmijët për t’u larguar nga disa zona të pushtuara në Homs “që nga ky moment”, deklaroi ndërmjetësi i OKB-së dhe Ligës Arabe në bisedimet e paqes në Gjenevë, për reporterët.

Zv/ministri i Jashtëm sirian, Faisal Mekdad, njoftoi se gratë e fëmijët do të lihen të lirë për t’u larguar. Ai akuzoi grupet e armatosura se kanë penguar deri tani këto grupe të popullsisë vendase, për t’u larguar nga zonat në fjalë.

Lakdar Brahimi u shpreh se opozita kishte rënë dakord t’i jepte qeverisë listën e të burgosurve të mbajtur nga grupet e armatosura. Ai tha se ishte ende herët për të vlerësuar perspektivën e një marrëveshjeje të plotë.

Ai pranoi se bisedimet po ecnin shumë ngadalë, por tha të hënën ai “pret që të dy palët të bëjnë disa deklarata të përgjithshme mbi mënyrën se si mund të ecet përpara”.

Brahimi shtoi se shpreson që një i dërguar humanitar nga OKB dhe Kryqi i Kuq të ketë mundësi të hyjë në Homs gjatë së hënës.

Qindra njerëz raportohen të jenë të bllokuar në pjesë të ndryshme të pushtuara të qytetit të Homs-it, përfshi edhe disa prej tyre që janë të sëmurë, ndoshta edhe rëndë. Nëse gjithçka shkon mirë, marrëveshja për Homs-in do të jetë rezultati i parë konkret i procesit të paqes, raporton e dërguara e BBC nga Gjeneva.

Mekdad tha se shpreson që marrëveshjet për lejimin e një të dërguari të OKB në zonat e pushtuara të bëhen me zyrtarët lokalë, por shtoi se ndihmësi në fjalë nuk duhet të bjerë “në duart e terroristëve”, një term që zyrtarët e qeverisë së Sirisë e përdorin për opozitën e armatosur.

Brahimi vijoi më tej se gratë dhe fëmijët duhen lejuar nga qeveria të largohen menjëherë nga vendet e pushtuara, por kërkoi gjithashtu edhe një listë me civilë meshkuj të rritur, të cilët duan të largohen me garancinë se ata nuk janë luftëtarë.

“E dini se qendra e qytetit është e pushtuar prej një kohe tepër të gjatë, ndaj dhe tashmë shpresoj që të jemi në rrugën e duhur për një zgjidhje, të paktën për civilët”, tha ai.

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë tha se opozita është zotuar se do të mbledhë emrat e të “burgosurve” nga grupet e armatosura që janë aktualisht “nën autoritetin e opozitës”, por pranoi se kjo marrëveshje nuk përfshin të gjitha grupet e luftëtarëve antiqeveritarë, që luftojnë në Siri.

Në këmbim, opozita ka kërkuar lirimin e mijëra të burgosurve në burgjet e qeverisë së Bashar al-Assad-it.

Top Channel