
Mazhoranca i kërkon opozitës të bëhet pjesë e reformës për ndarjen e re të territorit. Ndërsa Parlamenti votoi me votat e së majtës ngritjen e komisionit bipartizan, ftesa e saj është që opozita të vijë të zërë vendet në të dhe të ngrihet mbi axhendën politike të ditës duke u bërë pjesë e një reforme të domosdoshme.
“Është e vërtetë që ne kemi tre të pestat e votave në Parlament, por po aq e vërtetë është që kemi shprehur gjithë vullnetin që opozita të jetë pjesë e kësaj reforme. Kemi ofruar gjysmën e numrit të anëtarëve të komisionit bipartizan dhe i kemi afruar veton në vendimmarrjet e këtij komisioni”, tha Klosi.
Sekretari organizativ i socialistëve i kërkoi kreut të demokratëve të bëhet sipas tij i përgjegjshëm për interesat e qytetarëve shqiptarë, pa ndjekur shembullin që ai po i jep banorëve të kryeqytetit: “Lulzim Basha i ka kthyer kurrizin qytetarëve të Tiranës dhe nën ndikimin e padrinos së opozitës tij vazhdon të jetë në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë. Duke ribërë kështu një gabim duke mos marrë pjesë në një reformë kaq të rëndësishme që nuk mund dhe nuk do të lihet pas dore siç është bërë në këto 20 vite.”
Demokratët kanë vendosur si kusht të pjesëmarrjes në reformën territoriale kthimin e besimit te konsensusi nga ana e mazhorancës, duke i kërkuar si provë kësaj të fundit zhbërjen e aktit normativ për nëpunësin civil, ndërprerjen e procedurave të shkarkimit të kreut të ILDLP-së dhe tërheqjen nga amendamenti për AMA-n.
Kërkesat janë konsideruar politike nga ana e mazhorancës që në pritje të përgjigjes nga demokratët nuk kanë përcaktuar ende ditën e konstituimit të Komisionit të Reformës Territoriale dhe fillimin e tij nga puna.
Top Channel