Hungaria kujton holokaustin

26/01/2014 00:00

Në përpjekje për të hedhur poshtë me vepra, akuzat se nuk reagon vendosmërisht kundër anti-semitizmit, qeveria hungareze e shpalli 2014-n si vit përkujtimor për Holokaustin.

Nisma mori shkas nga përvjetori i 70 i fillimit të genocidit ndaj hebrenjve të Hungarisë: nga Marsi 1944 deri në Janar 1945 ishin deportuar dhe vrarë, në kampet gjermane të shfarosjes në masë, plot 600,000 prej tyre.

Xhesti i ekzekutivit të Viktor Orban çuditi shumë hebrenj hungarezë, por mjaft të tjerë vazhduan të mbeten skeptikë dhe rezervat e tyre nuk kanë qenë pa vend. Që në fillim të vitit përkujtimor, drejtori i Institutit Shtetëror të Historisë “Veritas”, Sandor Szakaly, relativizoi pjesëmarrjen hungareze në Holokaust.

Në një intervistë me agjencinë hungareze të lajmeve, MTI, ai tha se hebrenjtë në Hungari kanë pësuar “humbje të rëndësishme”, vetëm pas pushtimit të vendit nga nazistët, më 19 Mars 1944. Aktet e mëparshme të deportimit nga shteti hungarez, ai i cilësoi “procedura policore për të huajt”, duke iu referuar faktit se, pjesa më e madhe e hebrenjve të prekur nuk kishin shtetësi hungareze.

Megjithatë, polemikat më të mëdha i shkaktoi një monument, tashmë i planifikuar, përkujtimor për pushtimin gjerman të Hungarisë, më 19 Mars 1944. Ai duhet të ngrihet në sheshin e Lirisë, në Budapest, dhe do të ketë shqiponjën gjermane të Rajhut, e cila sulet mbi ëngjëllin Gabriel, që simbolizon Hungarinë. Statuja i dedikohet shprehimisht “të gjitha viktimave”, nga Marsi 1944 deri në fund të luftës, në Prill 1945.

Sipas interpretimit të qeverisë hungareze dhe përcaktimit në preambulën e kushtetutës së re hungareze, në fuqi prej 2012, sovraniteti i Hungarisë përfundoi më 19 Mars 1944. Shteti hungarez, sipas interpretimit në fjalë, ka qenë përgjegjës vetëm pjesërisht ose aspak për Holokaustin ndaj hebrenjve hungarezë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta