Një tërmet i fuqishëm ka tronditur pasditen e së dielës zonën perëndimore të Greqisë.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, tërmeti kishte densitet 5,9 ballë i shkallës rihter dhe epiqendra e tij ishte në zonën Liksuri, në ishullin e Qefalonisë.

Thellësia e tërmetit llogaritet në 24 kilometra. Menjëherë në zonë kanë mbërritur ekipet e shpëtimit, ndërsa deri tani nuk raportohen dëme në njerëz.

Sipas repartit lokal të zjarrfikësve, dëme janë shënuar në godinat e vjetra, kurse një pjesë e mirë e ishujve të Qefalonisë dhe Itakës nuk kanë energji elektrike.

Edhe tubacionet e ujit janë dëmtuar, ndërsa në disa zona janë shënuar shkarje dheu. Sizmiologët thonë se tërmeti u ndje në të gjithë Greqinë perëndimore, Patër, Kallamata, e madje deri në Athinë.

Është fat – thonë ata, – që nuk ka viktima, pasi një tërmet i së njëjtës madhësi në vitet ’50 kishte shënuar mijëra viktima në të njëjtën zonë.

Qeveria ka urdhëruar dërgimin e një ekipi ekspertësh në zonë, për të llogaritur dëmet dhe për t’i qenë më pranë banorëve në këto momente të vështira, deklaroi zëdhënësi i qeverisë.

Top Channel