Zonja e Parë e Francës udhëton në Indi

24/01/2014 20:00

Valerie Trierweiler, zyrtarisht Zonja e Parë e Francës, do të vizitojë Indinë ndërsa vazhdon paqartësia në lidhje me marrëdhënien e saj me presidentin Francois Hollande.

Trierweiler, e cila u shtrua për një javë në spital pasi një revistë zbuloi tradhëtinë e Hollande me një aktore më parë gjatë muajit, do të jetë e pranishme të hënën në Mumbai në një aktivitet bamirësie të organizuar nga një shoqatë humanitare franceze.

“Agence France Presse” përcaktoi se 48-vjeçarja do të jetë e pranishme në konferencë në bazë të funksionit të saj publik.

Ndonëse prezantohet si Zonja e Parë e Francës, Trierweiler dhe Hollande janë vetëm bashkëjetues.

Aktualisht, Zonja e Parë po qëndron në një rezidencë qeveritare në Versajë dhe nuk ka qenë e disponueshme për mediat.

Gjatë të premtes, presidenti Hollande udhëtoi në Vatikan për t’u takuar me Papën Françesk, në atë që ishte vizita e tij e parë jashtë vendit që prej publikimit të skandalit.

Top Channel