“Filan Rektori”, “Express doktoratura vetëm për 3 min”, “UP e Kosovës, jo e Indisë”, ishin parullat e studentëve të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, gjatë protestës para Rektoratit ditën e premte në Prishtinë.

Me moton “T’i kthejmë dinjitetin UP-së”, studentët dolën me tri kërkesa: Mashtruesit me në krye rektorin Ibrahim Gashi të japin dorëheqjen; policia të fillojë hetimet për mashtrimin disavjeçar; dhe subjektet politike t’i mbajnë duart larg nga universiteti.

Në përkrahje të studentëve dolën edhe organizatat studentore si Klubi Politik i Studentëve dhe Organizata për Studim, Kritikë, Veprim. Protestuesve nuk iu leuja të futeshin në oborrin e Rektoratit, i cili ishte i siguruar nga dhjetëra agjentë policie.

Sipas organizatorëve, kjo ndodhi me kërkesën e Rektoratit drejtuar policisë për shkak të rrezikimit të sigurisë së personelit në këtë institucion. Protestuesit kërkuan sqarim nga Rektorati, por kjo edhe pas një orë proteste nuk ndodhi, ndërkohë që u paralajmëruan protesta radikale ditëve në vazhdim.

Për skandalet e fundit në UP kanë reaguar edhe subjekte politike. Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kërkuar debat në Kuvend. “Nga ndërhyrjet politike dhe të kundraligjshme është dëmtuar cilësia dhe janë krijuar grupe joformale interesi, të cilat nuk mund t’i sjellin asnjë të mirë UP-së”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Ndërsa në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thuhet: “AAK kërkon nga Senati, si organ akademik dhe Bordi i UP-së si organ qeverisës, të dalin menjëherë me vendime konkrete për zbardhjen e situatës së krijuar dhe vënies para përgjegjësive të bartësve të këtyre dukurive, të cilat minojnë të drejtën universale të të rinjëve tanë për arsim cilësor”.

Nga ana tjetër, Rektorati është paditur nga kandidatët për doktoraraturë që u zhvendosën pak ditë më parë nga listat e pranimit, për shkak të ndryshmit të kritereve pranuese. E për të gjitha këto, Rektorati vijon të heshtë, ndërsa nuk i kthen përgjigje as interesimit disaditor të Top Channel në lidhje me veprimet që do të ndërmerren.

Reagon stafi i “Hasan Prishtinës”
Për shqetësimet të ndiqen rrugët zyrtare

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, menaxhmenti i Universitetit “Hasan Prishtina” thotë se e respekton të drejtën e studentëve që t’i shprehin shqetësimet që kanë të bëjnë me kushtet e përgjithshme për mësimdhënie në UP, mirëpo është detyrim i të gjithëve, duke mos përjashtuar as studentët që për çfardo shqetësimi të ndjekin rrugët e parashikuara me Statutin e UP-së.

“Në këtë kontekst, protesta e sotme e një grupi të vogël studentësh, është parë si një shqetësim për çështje të caktuara, por në asnjë situatë nuk konsiderohet rrugë alternative e një debati të brendshëm, i cili ka gjithë kushtet e domosdoshme të jetë i realizuar përmes hallkave të përfaqësimit të studentëve për secilën çështje të ngritur, por duke përjashtuar çdo ndikim të mundshëm që vjen jashtë Universitetit të Prishtinës”, thuhet në deklaratë.

Më tej sqarohet se statuti i UP-së garanton një përfaqësim përmbajtësor të studentëve, duke i përfshirë edhe organet vendimmarrëse të UP-së, që është më i avancuari sesa në shumë vende të BE-së dhe pa përjashtim më i avancuari në vendet e rajonit.

Top Channel