Policia e Kosovës ka caktuar pesë zyrtarët e parë ndërlidhës në misionet diplomatike të Kosovës. Nga ky institucion premtohet se në një të ardhme të afërt do të dërgohen më shumë.

Kështu, Bekim Halilaj është caktuar në Austri, Ardita Fetahu në Francë, Jeton Krasniqi në Belgjikë, Alban Sopjani në Gjermani dhe Blerim Dajaku në Turqi.

Zyrtarët kosovarë vlerësojnë se me këtë nuk promovohet vetëm interesi shtetëror i Kosovës në sistemin ndërkombëtar, por edhe interesat politike, ekonomike e kulturore të saj dhe mbi të gjitha promovohen interesat e qytetarëve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka deklaruar se në aspektin e sigurisë Kosova nuk ka pasur përfaqësues të profesionit, të cilët tani do të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet vendase ku shkojnë zyrtarët ndërlidhës.

Përmes kësaj, sipas Rexhepit, do të ketë komunikim të ngushtë me ambasadat, me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, transmeton “KP”.

Ai ka kërkuar nga ata që ta kryejnë punën në mënyrë të ndershme, duke qenë përfaqësues të shtetit të Kosovës, për të përforcuar bashkëpunimin në nivelin e sigurisë.

Top Channel