Hollande takohet me Papën

24/01/2014 15:35

Presidenti i Francës, Francois Hollande, u takua me Papën Françesk në Vatikan, në vizitën e tij të parë jashtë vendit që prej raportimit në shtyp të tradhëtisë së tij me një aktore.

Në deklaratën e publikuar nga Selia e Shenjtë përcaktohej se në takimin e tyre, Papa dhe Hollandë biseduan për familjen, bioetikën dhe respektin ndaj komuniteteve të ndryshme fetare.

Vizita e Hollande në Vatikan vjen pasi Franca legalizoi martesat homoseksuale, ndërsa po planifikon që të liberalizojë ligjin për abortin dhe vetvrasjen e asistuar, argumenta të kundërshtuar fuqishëm nga Kisha Katolike dhe vetë Papa Françesku.

Gjithashtu, ky ishte edhe udhëtimi i parë jashtë vendit për Hollandë, që kur Zonja e Parë, Valerie Trierweiler kaloi një javë në spital, pas traumës që pësoi kur mësoi për lidhjen paralele të presidentit me aktoren Julie Gayet.

Pas këtij publikimi, Gayet paditi revistën “Closer”, të akuzuar për shkeljen e të drejtës së saj të jetës private.

Disa ditë më parë, Trierweiler pranoi në radion “Europe 1” se nuk e ka përjetuar aspak mirë këtë situatë.

Top Channel