Gjermani, vrasje në gjykatë

24/01/2014 15:15

Dy persona mbetën të vrarë në një sulm të ndodhur gjatë së premtes në kompleksin e godinave të drejtësisë në Frankfurt.

Vrasësi i dyshuar u largua nga skena në këmbë, por u arrestua disa minuta më pas.

Incidenti ndodhi gjatë mëngjesit dhe viktimat ishin dy meshkuj të moshës 45 dhe 50 vjeç.

Të dy viktimat po gjykoheshin për një rast agresioni të ndodhur në vitin 2007 në Steinbach, një zonë industriale në perëndim të Frankfurtit.

Zëdhënësi i policisë, Ruedinger Reges deklaroi se viktima e parë u qëllua direkt me një armë zjarri, ndërsa i ndjeri i dytë u godit me thikë ndërsa po përpiqej të largohej.

Ndonëse emri i agresorit nuk është bërë i njohur, policia ka komunikuar se bëhet fjalë për një shtetas 47-vjeçar me origjinë afgane.

Për momentin, mediat gjermane tregohen të kujdesshme për të mos spekuluar me motivet që mund të kenë shtyrë në këtë vrasje, por shumë prej tyre ngrenë pikëpyetje rreth nivelit të sigurisë që ekziston në gjykatat e vendit.

Top Channel