
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur e shqetësuar për trendin në rritje të largimeve të qytetarëve nga Kosova, që sipas saj po kthehet në një eksod masiv.
Sipas AAK, këto zhvillime janë pasojë e gjendjes së pashpresë që e ka sjellë keqqeverisja, e cila po rrit papunësinë, po thellon varfërinë dhe po kthen Kosovën në një vend pa perspektivë për të gjithë qytetarët.
“Rasti i fundit, në të cilin u gjetën 48 qytetarë të Kosovës duke kërkuar një jetë më të mirë rrugëve të Evropës, është pasqyra më e qartë e kësaj situate”, thuhet në një komunikatë.
AAK kërkon nga qeveria, respektivisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme, “që urgjentisht të marrin masa dhe t’u dalin në ndihmë, si dhe të interesohen për shëndetin e tyre, dinjitetin dhe trajtimin nga autoritetet e vendeve përkatëse ku ata po qëndrojnë”.
AAK ka ftuar rininë e Kosovës që të qëndrojë në Kosovë dhe të jetë pjesë e ndryshimit të shpejtë të kësaj qeverisjeje. “Qeverisja zhvillimore, për të cilën po punon AAK, garanton zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, mirëqënie e perspektivë për të gjithë në vendin tonë”, thuhet më tej në komunikatë.
Top Channel