Rektori i Universitetit publik “Hasan Prishtina” mohon akuzat e drejtuara ndaj tij për mashtrim, lidhur me publikimet e punimeve të tij që kanë dalë të jenë bërë në një revistë të rremë shkencore.

Me gjithë përpjekjet e Top Channel për të kontaktuar Rektoratin nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Ndërsa në përgjigjen dhënë gazetës “Koha Ditore”, rektori Gashi shkruan:

“Sipas një praktike, zakonisht autori i parë përzgjedh revistën ku do ta publikojë punimin, e që ka rezultuar se në rastin konkret, ai siç duket nuk e ka bërë përzgjedhjen e duhur, pasi vetë cilësia e punimeve do të mundësonte që ato të botoheshin edhe në shumë revista të tjera shkencore”.

Zhvillimet e fundit në UP kanë nxitur reagime. Të premten është paralajmëruar një protestë e organizuar nga studentët e këtij universiteti. Me moton “T’i kthejmë dinjitetin UP-së”, nga studentët kërkohet dorëheqja e menjëhershme e rektorit Gashi.

Në anën tjetët, Instituti për Demokraci dhe Zhvillim, me anë të një memorandumi ka rekomanduar institucionet e vendit që të fillojnë hetime të menjëhershme brenda UP-së.

Akuzat ndaj Rektoratit vazhdojnë edhe nga kanditatët për doktoratë. Ankesat e tyre për shfuqizimin e vendimit në lidhje me kriteret e pranimit të studimeve të doktoraturës nga Senati i UP-së u cilësuan si të pabaza.

Në letrën e Ali Xhelilit, përfaqësues i kandidatëve për studime dokorate, u paralajmëruan Rektorati, Senati dhe Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës se do të ngrihet padi kundër tyre nëse nuk shfuqizohet vendimi 2/988.

Top Channel