Në qeverinë e Kosovës mund të ketë proces riformatimi, por kjo çështje varet nga koha e mbajtjes së zgjedhjeve.

Burime të informuara bëjnë të ditur për gazetën “Express” se, nëse vendoset që zgjedhjet të mbahen në shtator, atëherë do të ketë riformatim.

“Nëse ka marrëveshje që zgjedhjet të mbahen në vjeshtë, atëherë do të ketë riformatim në qeveri. Ndërsa nëse zgjedhjet mbahen në qershor, atëherë nuk do të ketë ndryshime”, ka thënë një burim brenda qeverisë së Kosovës.

Të enjten është bërë e ditur se zyrtarë të lartë të PDK-së tashmë kanë biseduar për shkarkimet dhe emërimet e reja në kabinetin qeveritar.

Kështu, Zenun Pajaziti dhe Arsim Bajrami thuhet se do të kthehen si ministra, ndërsa pritet largimi i Bajram Rexhepit, Memli Krasniqit, Blerand Stavilecit dhe Ramë Bujës. Rexhepi thuhet se do të largohet nga Ministria e Punëve të Brendshme për shkak të skandaleve, për t’u bërë ambasador.

Kurse ministriat Stavileci dhe Krasniqi janë propozuar që të kthehen dhe të merren me angazhime partiake. Ndërkohë, Ramë Buja do të lëvizë nga pozita e ministrit të Arsimit për shkak të performancës së dobët.

Top Channel