
Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht nënkryetari i Komisionit
të Sigurisë, Flamur Noka ka hedhur poshtë pretendimet e deputetit Braho
në lidhje me pamjet filmike, që sipas PD e implikojnë në skandalin e të
dhënave tatimore.
Në një deklaratë për mediat ditën e sotme, Noka ka theksuar se pretendimi i Brahos është i pavërtetë, pasi sipas tij Komisionit Parlamentar të Sigurisë nuk ka në axhendë serverin e tatimeve.
“Si nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, iu bëj me dije, se për asnjë moment, nuk kemi pasur në axhendën tonë, apo në shqetësimet tona, çështje që kanë të bëjnë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, apo me serverat e saj. Justifikimi i Braho, për praninë e tij në korridoret e këtij institucioni së bashku me kreun e grupit të ndërhyrjes së paligjshme, nën shoqërinë e drejtoreshës, është jo vetëm i dobët, por dhe krejt i pavërtetë. Braho do të ishte atje i pranishëm për cështjet e sigurisë, ne, dhe unë si nënkryetar i komisionit parlamentar, minimalisht duhej të kishim dijeni.Alibitë dhe justifikimet nuk e fshehin dot atë çfarë ka ndodhur me serverin e Drejtorisë së Tatimeve ku ruhen të dhënat personale të biznesit dhe qytetarëve të vendit”, tha Noka.
Noka bëri përgjegjës për këtë akt, sipas tij të paligjshëm, dy krerët e mazhorancës Rama-Meta.
“Dyshja Rama-Meta ka ndërhyrë në të dhënat konfidenciale e të mbrojtura me ligj për të bërë të mundur që bizneset të reduktojnë, ose zerojnë gjobat, me kusht që paratë t’i derdhin në xhepat e tyre.Jemi para një krimi të rëndë, një korrupsioni galopant, përmes një skeme të mirëorganizuar, ku përfshihen njerëzit e besuar të Ramës dhe Metës”, tha Noka.
Top Channel