Krerë të lartë të ish-UÇK-së, të cilët sot udhëheqin politikën e Kosovës, shumë shpejt mund të përfundojnë si të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Sipas gazetës “Tribuna”, ata dhe disa të tjerë po hetohen për trafikim organesh, krime kundër njerëzimit, trafik droge, nafte dhe armësh, dyshime që u bënë publike në raportin e senatorit të Këshillit të Evropës, Dick Marty në vitin 2011.

Ish-senatori zviceran pati akuzuar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, se si udhëheqës i Grupit të Drenicës është përgjegjës për krimet e lartpërmendura.

Disa nga udhëheqësit e tjerë të grupit, sipas Marty, janë Kadri Veseli, aktualisht nënkryetar i PDK-së, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj e Shaip Muja.

Sipas “Tribunës”, hetimi trevjeçar i prokurorit amerikan Clint Williamson do të përfundojë në mars ose qershor të këtij viti dhe derisa hetimet të mbyllen, informacionet e para mbi rezultatin kanë nisur të bëhen të ditura.

Gazeta “Tribuna” ka mësuar se do të ketë një aktakuzë për zhdukjen e disa civilëve para dhe pas fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Civilët, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë, janë nga rajoni i Prizrenit (ku përfshihet edhe Rahoveci).

Kjo është arsyeja pse javë më parë pjesëtarët e SITF-së, Task Forcës Speciale Hetimore, morën të gjitha lëndët e krimeve të luftës si dhe krimeve ndëretnike të pasluftës që nga koha e UNMIK-ut në gjykatat dhe prokuroritë e këtij rajoni.

Top Channel