Al-Kaeda, thirrje për bashkim militantëve sirianë

23/01/2014 15:20

Lideri i Al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri, i kërkoi militantëve islamikë që luftojnë në Siri që të bashkohen në një front të vetëm për të rrëzuar presidentin Bashar al-Assad dhe kryengritësit pro-demokratikë, me qëllim themelimin e një shteti islamik pas luftës.

Mesazhi i drejtuesit të organizatës terroriste më famëkeqe në botë u postua në disa faqe militantësh dhe u raportua nga “CNN”.

Megjithatë, rrjeti amerikan e ka të pamundur të verifikojë në mënyrë të paanshme autenticitetin e videos që zgjat pesë minuta, ndaj rezervohet të thotë nëse është me të vërtetë mesazhi i al-Zawahirit ai i postuari deri në vlerësimin e specialistëve.

“Zemrat tona po kullojnë gjak. Zemra e kombit tonë islamik po kullon gjak kur sheh se si muxhahedinët tanë janë të përçarë në luftën e tyre të përbashkët në Siri”, deklaroi midis të tjerave pasardhësi i Osama Bin Ladenit.

“Ju jeni shpresa jonë për themelimin e një shteti islamik, e një drejtimi islamik në tokën siriane, tokën e zgjedhur të xhihadit”, shtoi ai.

Ndërsa autenticiteti i deklaratës mund të dojë disa ditë për t’u verifikuar, është e qartë se ajo vjen në momentin më të përshtatshëm për presidentin Bashar Al-Assad, i cili prej kohësh pretendon se po lufton kundër militantëve islamikë në vendin e tij.

Aktualisht, qeveria siriane dhe kryengritësit janë duke negociuar një armëpushim dhe tranzicion politik në Konferencën e Paqes së Gjenevës, “sponsorizuar” nga dy aleatët më të mëdhenj të palëve ndërluftuese, SHBA dhe Rusia.

Ndërkohë, në Siri luftimet vazhdojnë të ashpra midis ushtrisë së rregullt dhe kryengritësve, teksa e vetëquajtura Ushtri e Levantit dhe Irakut në Siri, një organizatë radikale islamike është duke luftuar e veçuar kundër të dyja palëve.

Top Channel