Edhe dy muaj paraburgim për kryetarin e komunës Skënderaj, Sami Lushtaku, ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi dhe pesë ish-luftëtarët e tjerë të UÇK-së.

Ky është vendimi i kryetarit të trupit gjykues në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës” dhe vjen një ditë para skadimit të paraburgimit, të enjten më 23 janar.

Avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi e cilëson këtë si dënim pa gjykim të klientit të tij dhe bashkëluftëtarëve të tij. Sipas Gashit, asnjëherë nga fillimi i këtij rasti nuk ka pasur arsye ligjore që të caktohet apo vazhdohet paraburgimi, që nga data 31 maj 2013.

“Përsëritja e arsyetimit të gjyqtarit se ata mund të ikin dhe të ndikojnë tek dëshmitarët në një gjykim eventual të ardhshëm është bërë një stereotip të cilit askush në Kosovë nuk i beson”, tha avokati mbrojtës.

Në reagimin e tij, Tomë Gashi paralajmëroi se avokatët e të akuzuarve do të ankohen në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

Top Channel