SHBA, gjyqi ndaj “spiunit” iranian

22/01/2014 15:35

Një inxhinjer iraniano-amerikan është vendosur përpara gjyqit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi tentoi të dërgonte në Iran materiale të rezervuara mbi projektin dhe të dhënat teknike të një avioni ushtarak sekret.

Sipas padisë që po shqyrtohet nga Gjykata e Konektikatit, 59-vjeçari Mozaffar Khazaee tentoi të kalonte për në Iran qindra faqe dokumentash që i përkasin modelit të avionit ushtarak “F-35”.

Nëse do të shpallet fajtor, inxhinjeri rrezikon të dënohet deri me 20 vjet heqje lirie.

Khazaee akuzohet për transportimin dhe transmetimin e sekreteve tregtare të përvetësuara nëpërmjet vjedhjes ose mashtrimit.

59-vjeçari ka pranuar se vodhi dokumentat nga një firmë e angazhuar në fushën e mbrojtjes në të cilën ishte i punësuar, por mohon që të ishte duke vepruar në shërbim të Shërbimeve Sekrete Iraniane.

Programi për ndërtimin e “F-35” është më i kushtueshmi në historinë e aviacionit ushtarak amerikan, me një kosto totale prej 400 miliardë dollarësh për zhvillimin e avionit.

Top Channel