
Premtimi i ministrave shqiptarë në qeverinë e Shkupit se nuk do të lejojnë ndërtimin e hidrocentralit në Fushë të Lukovës nëse dëmton ambjentin, nuk ka mjaftuar për të qetësuar qytetarët e Dibrës.
Për shkak të deklaratave kontradiktore që dalin nga zyrtarët maqedonas dhe ata shqiptarë lidhur me këtë projekt, dibranët kërkojnë që qeveria të dalë me një qëndrim të përbashkët dhe të bëjë të qartë vendimin lidhur me hidrocentralin.
“Ministrat shqiptarë nuk janë tërësisht të qartë pasi qeveria e Maqedonisë para disa ditësh tha se projekti do të realizohet. Prandaj, ministrat shqiptarë në qeverinë e Gruevskit duhet të sqarohen, që ta kuptojmë ne dibranët qartë se cili është qëndrimi definitiv i qeverisë në lidhje me devijimin e lumit të Radikës”, deklaron Muhamet Kaba, ish-kryetar i Komunës së Dibrës.
“Ne kërkojmë nga qeveria e Maqedonisë jo vetëm me deklarata, por edhe me shkrim, një dokument jo vetëm sot për sot, që ky projekt të groposet përgjithmonë”, vlerëson Dritan Leshi, iniciues i peticionit kundër projektit “Fusha e Lukovës”.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Komunal në Dibër, Bashkim Mashkulli thotë se punimet për devijimin e lumit Radika kanë filluar disa muaj më parë me vendosjen e gypave të parë që çojnë ujin drejt Liqenit të Mavrovës, ku po planifikohet të ndërtohen tre hidrocentrale.
“Kohët e fundit, këtu tek ne flitet që punimet kanë filluar në burimet e Korrabit për të deformuar lumin e Radikës dhe unë personalisht me disa shokë kam shkuar tre herë në janar të këtij viti dhe kam parë punëtorë me makineri të rënda që ishin duke punuar dhe shtronin ato gypat që marrin ujin e Radikës për të bërë devijimin për në Liqenin e Mavrovës. Këtë e kam faktuar edhe vetë”, thotë Mashkulli.
Përveç dëmeve ekologjike, dibranët thonë se mungesa e ujit që mund të shkaktohet nga devijimi i lumit Radika do të ketë edhe pasoja tjera shumë të rënda për banorët e këtij qyteti.
“Liqeni i Dibrës do të thahet. Ai do të shndërrohet në një moçal, që do të jetë burim infeksionesh dhe sëmundjesh të ndryshme. Dëmi më i madh që do të bëhet është që qyteti i Dibrës nga këto pasoja do të zbrazet, do të migrojë dhe do të vdesë”, thotë Arbëresha Klenja, banore e Dibrës.
“Shteti shqiptar duhet të bëjë më shumë. Nëse neve na kthehet në moçal Radika, në Shqipëri dëmi është më i madh pasi atje furnizohen me këtë ujë katër hidrocentrale”, thotë banori tjetër Egunent Cami.
Dibranët paralajmërojnë protesta masive që do të shtrihen në të gjitha qytetet e Maqedonisë të banuara me shqitparë, nëse qeveria e Shkupit nuk heq dorë përfundimisht nga projekti për ndërtimin e hidrocentralit në Fushë të Lukovës.
Top Channel