Një hulumtim gazetaresk nga gazeta “Koha Ditore” zbardh mënyrën e përparimit akademik të Ibrahim Gashit, rektor i Universitetit Publik “Hasan Prishtina” dhe të profesorëve të tjerë.

Bëhet fjalë për një revistë të rremë shkencore, ku edhe rektori Gashi ka publikuar tre punime, të cilat janë vlerësuar si kontribut i mjaftueshëm shkencor sa për të marrë titullin më të lartë akademik që jep Universiteti i Prishtinës, “profesor i rregullt”.

“Nën identitetin e rremë të Filan Fistekut, i janë testuar kriteret e publikimit Revistës Ndërkombëtare të Inxhinierisë dhe Shkencave Menaxhuese, me seli në Indi, ku kanë publikuar “punimet shkencore” rektori, një dekan dhe disa profesorë të Kosovës. Redaksia e “revistës shkencore” të Indisë nuk e kishte parë organikën e punimit e as nuk e kishte redaktuar materialin. Të tërin e ka publikuar këtë muaj si material bruto në faqet 41 dhe 43 të volumit 5 të saj”, shkruan “Koha Ditore”.

Sipas saj, “punimi shkencor” është publikuar pasi Filan Fisteku ka depozituar në llogarine e revistës indiane një shumë prej 80 eurosh. “Filan Fisteku nga kjo revistë prezantohet si kuadër akademik i Universitetit të Prishtinës, përkatësisht i Departamentit të Filozofisë, Histotisë dhe Biznesit. Gradime të tilla të jashtligjshme del se ka jo pak në Fakultetin Filozofik, Filologjik e Juridik, si dhe në atë të Bujqësisë e Veterinarisë”, vijon “KD”.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit publik të Prishtinës, Muharrem Nitaj, në një intervistë për “Express”, thotë se është nevojë urgjente që të gjithë ata që kanë publikuar në këtë revistë që ai e quan “korruptive shkencore” t’i tërheqin publikimet e tyre.

I pyetur nga “Express” nëse Këshilli Drejtues do të nisë ndonjë hetim lidhur më këto publikime, duke përfshirë edhe rektorin Gashi, Nitaj tha: “Çështjet akademike janë e drejtë ekskluzive e Senatit të UP-së. Ne rast se do të ketë ankesa për shkeljen e Statutit të UP-së, atëherë përfshihet edhe Këshilli Drejtues në këto çështje”.

Publikimi i lajmit vjen në një kohë kur kandidatët për doktoraturë në Universitetin e Prishtinës janë përplasur me Rektoratin e këtij universiteti për shkak të ndryshimit të papritur të kritereve të pranimit.

Top Channel