Bisedimet e paqes për Sirinë

22/01/2014 00:00

Nisi në Montreux të Zvicrës konferenca e paqes për Sirinë që ul për herë të parë në të njëjtën tavolinë opozitën dhe qeverinë e Bashar al-Assad që nga nisja e konfliktit, 3 vite më parë.

Objektivi i bisedimeve është gjetja e një zgjidhjeje politike dhe uljes së armëve që u kanë marrë jetën më shumë se 100 mijë personave në vendin e trazuar të Lindjes së Mesme.

Në konferencë, që dy ditë më vonë do të zhvendoset në Gjenevë, marrin pjesë 40 Ministra të Jashtëm, bashkë me Sekretarin e Departamentit të Shtetit John Kerry dhe kryediplomatin rus, Sergei Lavrov. Fjala e hapjes u mbajt nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, i cili kërkoi nga palët seriozitet dhe konstruktivitet në bisedime.

“Të gjithë e dimë që kemi kaluar në një rrugë të vështirë për të arritur në këtë pikë. Kemi shpërdoruar shumë kohë dhe kemi humbur shumë, shumë jetë. Me lejoni t’ua bëj të qartë se sfidat para jush dhe para të gjithëve ne janë të mëdha, por prania juaj sot këtu ngjall shpresë”, tha kreu i OKB-së.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov paralajmëroi se bisedimet nuk do të jenë të lehta.

“Bisedimet nuk do të jenë të thjeshta, as të shpejta. Mbi supet e të gjithë pjesëmarrësve rëndon një përgjegjësi historike”, deklaroi Lavrov duke kujtuar se në bisedime duhet të jetë i pranishëm edhe Irani, ftesa ndaj të cilit u anulua.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry u kthye pas  në kohë, pikërisht në nisje të protestave, kur tha se ato ishin paqësore, por qeveria iu përgjigj me një dhunë të paprecedentë.

“Ne shohim vetëm një mundësi; ngritjen e një qeverie tranzicioni, frut i një ujdie mes dy palëve. Nuk ka asnjë mundësi që një njeri që ka udhëhequr një fushatë të përgjakshme shtypëse ndaj popullit të tij të ketë legjitimitet në qeverisje”, tha Kerry duke nënkuptuar se SHBA është kundër përfshirjes së Bashas al-Assad në rast të ngritjes së një qeverie tranzicioni.

Por se sa të mëdha janë ndasitë mes palëve në konflikt dhe për të kuptuar se sa të vështira do të jenë këto bisedime, mjafton deklarata e Ministrit të Jashtëm sirian, Wialid Muallem, që i quajti kundërshtarët e Assad terroristë dhe agjentë të huaj. Ai akuzoi tha se ‘disa shtete marrin pjesë në bisedime me gjakun e sirianëve në duar’.

“Siria do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur veten. Konflikti do të zgjasë për sa kohë do të zgjasë edhe terrorizmi”, tha ai.

Presidenti Assad në intervistat dhe deklaratat e fundit ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga skena politike, ndërsa opozita kërkon formimin e një qeverie të re të përbashkët, ku Assad të mos ketë asnjë rol.

Të paktën 100 mijë persona kanë humbur jetën dhe miliona të tjerë kanë lënë banesat e tyre në zonat e konfliktit. Shumë prej tyre janë strehuar në kampet e ngritura në vendet fqinje, të tjerë enden brenda territorit sirian për të shmangur zonat e luftimit.

Një ditë më parë një raport i tre ish-prokurorëve për krime luftë tha se ekzistojnë prova të qarta se Siria ka torturuar sistematikisht dhe më pas ekzekutuar rreth 11 mijë të burgosur që nga fillimi i kryengritjeve.

Një nga autorët e raportit tha për BBC se ka prova konkrete për përfshirjen e qeverisë, edhe pse Damasku zyrtar i mohon akuzat. Hetuesit ekzaminuan mijëra foto të të burgosurve të vdekur që ishin nxjerrë fshehurazi nga vendi nga një dezertor.

Shtetet e Bashkuara dhe OKB shprehën “tmerrin”, pas publikimit të raportit se regjimi sirian kishte torturuar sistematikisht dhe kishte ekzekutuar 11 mijë të burgosur prej nisjes së kryengritjes në Siri, Marsin e 2011 deri në gusht të vitit të kaluar.

Për Uashingtonin, “raporti nënvizon nevojën për të rrëzuar regjimin e presidentit Bashar al-Assad”. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, tha se “SHBA-të dënojnë në termat më të ashpra këto raportime. Fotografitë e fundit janë shqetësuese – tha ajo, – dhe ilustrojnë vepra që mund të përbëjnë krime serioze ndërkombëtare. Prej kohësh e kemi thënë se, ata që janë përgjegjës për të tilla shkelje serioze në Siri, duhet të japin llogari”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA