Trupat ruse, 11 km brenda territorit gjeorgjian

21/01/2014 21:20

Gjeorgjia protestoi ndaj shkeljes flagrante të ligjeve ndërkombëtare, pas spostimit të kufirit rus 11 kilometra në thellësi të territorit gjeorgjian.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara nga Moska, Rusia zhvendosi më parë gjatë javës trupa në Abkazi me qëllim garantimin e Lojrave Olimpike Dimërore.

Abkazia është krahina për të cilën Rusia dhe Gjeorgjia u bënë protagonistë të një lufte të shkurtër në vitin 2008.

Në përfundim të atij konflikti, Abkazia shpalli pavarësinë, e cila u njoh menjëherë prej Rusisë, por jo nga OKB-ja.

Deri më sot, Abkazia njihet vetëm nga Venezuela dhe Nikaragua si shtet i pavarur, ndërsa sipas ligjeve ndërkombëtare, ndonëse Gjeorgjia nuk ushtron më sovranitet real në këtë territor, Tbilisi mbetet padroni zyrtar i krahinës.

Sochi, vendi ku do të zhvillohen Lojrat Olimpike ndodhet pranë kufirit abkazian (40 km në vijë ajrore) dhe me aprovimin e qeverisë së kësaj krahine, Rusia ka vendosur trupa deri në 11 kilometra në thellësi, për të parandaluar çdo kërcënim apo militant që mund të përpiqet të kalojë kufirin për të organizuar sulme terroriste brenda vendit.

Aktualisht, Moska përballet me informacione të shumta për rigjallërim të aktiviteteve terroriste në prag të Lojrave, ndërsa në fund të Dhjetorit, 34 persona humbën jetën në një seri shpërthimesh që shënjestruan mjetet e transportit të qytetit të madh të Vollgogradit.

Rusia dhe Gjeorgjia aktualisht nuk mbajnë marrëdhënie diplomatike që prej luftës së 2008-s, ndonëse disa raporte ekonomike janë vendosur ndërkohë.

Kremlini nuk e ka konfirmuar këtë lajm, por Ministria e Jashtme Gjeorgjiane përcaktoi se është informuar për vazhdimin e këtij pushtimi deri në 21 Mars, kur Lojrat Olimpike dhe ato Paraolimpike të kenë përfunduar.

Top Channel