
Ekzistojnë prova të qarta se Siria ka torturuar sistematikisht dhe më pas ekzekutuar rreth 11 mijë të burgosur që nga fillimi i kryengritjeve, thotë një raport i tre ish-prokurorëve për krime lufte.
Një nga autorët e raportit tha për BBC se ka prova konkrete për përfshirjen e qeverisë, edhe pse Damasku zyrtar i mohon akuzat.
Hetuesit ekzaminuan mijëra foto të të burgosurve të vdekur që ishin nxjerrë fshehurazi nga vendi nga një dezertor. Raporti publikohet një ditë para nisjes së bisedimeve të paqes në Gjenevë të Zvicrës.
Gazeta “The Guardian”, që bashkë me CNN publikoi e para raportin, thotë se deklaratat e fundit për përdorimin e torturës dhe ekzekutimet duket se janë publikuar pikërisht në prag të konferencës, në qytetin-resort Montreux.
Bisedimet shihen si përpjekja më e madhe diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit trevjeçar, që u ka marrë jetën mbi 100 mijë personave dhe ka zhvendosur miliona të tjerë. Raporti është publikuar me mbështetjen e Katarit, që nga ana e tij mbështet rebelët sirianë.
Ai bazohet në provat e një fotografi të policisë ushtarake, që identifikohet me emrin Caesar e që thuhet se ka dhënë rreth 55 mijë foto dixhitale nga 11 mijë të burgosur të vdekur pasi ka dezertuar.
Ai u tha hetuesve se puna e tij ka qenë të bënte fotografi të trupave, në mënyrë që të lejonte prodhimin e çertifikatave të vdekjes, por nuk tha nëse kishte qenë vetë dëshmitar i torturave apo vrasjeve.
“Mund të jenë rreth 50 trupa në ditë për t’u fotografuar, që kërkojnë 15 deri në 30 minuta punë për trup”, citohet të ketë thënë ai.
Top Channel