Shpërthimi trondit periferinë e Beirutit

21/01/2014 00:00

Një shpërthim ka tronditur një bastion të Hezbollah, në një zonë me
dominancë shiite në periferinë jugore të Beirutit, raportohet nga
Libani.

Televizioni i lëvizjes shiite libaneze, Al Manar, ka treguar pamje nga vendi i ngjarjes, me flakë që dalin nga fasada e një ndërtese shumëkatëshe, të shoqëruara me shtëllunga tymi.

Aktualisht raportohet për dy të vrarë dhe 20 të plagosur. Së fundmi ka pasur një rritje të tensioneve sektare në Liban, për të cilin konsiderohet përgjegjës konflikti në Sirinë fqinje.

Forcat e lëvizjes Hezbollah kanë luftuar në mbështetje të presidentit sirian Bashar al Assad, ndërsa myslimanët sunitë të Libanit janë të prirur të mbështesin opozitën siriane.

Televizioni Al Manar njoftoi se shpërthimi ndodhi në rrugën Arid të lagjes Harat Hreik. Grupe njerëzish janë mbledhur rreth vendit të ngjarjes.

Ky është shpërthimi i radhës që verifikohet në Liban. Më 2 janar, pesë persona mbetën të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur nga shpërthimi i një bombe në të njëjtën lagje.

Ndërkohë, ish-ministri Mohamad Chatah, një sunit dhe kritik i Hezbollahut, mbeti i vrarë bashkë me pesë persona të tjerë në një atentat me autobombë në dhjetor.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta