Maqedonia ende nuk ka kërkuar në mënyrë zyrtare nga autoritetet e Tiranës mendim për ndërtimin e hidrocentralit në Fushë të Lukovë, pasi projekti ndodhet vetëm në fazën ideore.

Ministri i Ekonomisë në Maqedoni, Valon Saraçini, tha se hidrocentrali nuk mund të ndërtohet nëse Shqipëria është kundër pasi Shkupi nuk mund të shkelë marrëveshjet ndërkombëtare për projektet ndërkufitare.

“Ne zyrtarisht nuk mund të kërkojmë nga Qeveria shqiptare për të na dhënë mendim në lidhje me këtë projekt, pasi ne nuk kemi ende projekt final. Momentalisht, projekti nuk ka të siguruara mjetet financiare, pasi Banka Botërore nuk ka ndarë mjete për këtë projekt. Nuk ka ende projekt final dhe nuk ka studim mbi ndikimin në ambientin jetësor. Në mbledhjen e qeverisë, vetë kryeministri, thotë që në momentin që studimi tregon se ky projekt mund të ketë ndikim negative në ambientin jetësor, ky projekt nuk realizohet”, thotë Valon Saraçini, Ministër i Ekonomisë në Maqedoni.

Ministri i Ekonomisë në Maqedoni Valon Saraçini, për për hidrocentralin në Fushë të Lukovës ka diskutuar edhe me Ministrin shqiptar të Tregtisë dhe Energjetikës z. Damian Gjiknuri në takimin e zhvilluar në Shkup në nëntor të vitit të kaluar.

“Ne vendosëm që të kemi grup të përbashkët për të punuar në nivel teknik, për të parë impaktet, historikun dhe mbi të gjitha kush janë instrumentat e nevojshëm aktualë, apo të nevojshëm që mund të lindin për të gjetur zgjidhjen në përpuhje me detyrimet që kanë të dyja vendet, me instumentat ndërkombëtarë, por edhe me regjimin e ujërave bazuar në Marrëveshjet që tashmë kanë krijuar një traditë mes dy vendeve tona. Por është shumë e rëndësishme të theksohet, që ështe e mirë edhe për publikun e të dyja vendeve që jemi duke diskutuar, nuk po ja lëmë këtë gjë as spekulimit, as rastësisë, por punës së përbashkët të dy autoriteteve në të dyja krahët e kufirit në mënyrë që zgjidhja të jetë e pranueshme dhe në dobi të të dyja vendeve”, do të deklaronte zoti Gjiknuri.

Ministrat shqiptarë në Qeverinë e Shkupit, sigurojnë qytetarët e Dibrës se do ta bllokojnë ndërtimin e hidrocentrali në Fushë të Lukovës nëse rrezikohet ambienti jetësor.

Top Channel