SHBA-BE lehtësojnë sanksionet ndaj Iranit

21/01/2014 00:00

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar një sërë sanksionesh kundër Iranit, pasi shteti islamik nisi implementimin e marrëveshjes për shkurtimin e programit bërthamor.

Lëvizja e fundit lehtëson disa nga kufizimet në tregtimin e metaleve të nxjerra nga nafta e gazi natyror dhe metaleve të çmuara, si dhe në dhënien e sigurisë për dërgesat e naftës, mes disa masave të tjera.

Në SHBA, Departamenti i Thesarit njoftoi se tani që Irani ka përmbushur angazhimin fillestar bërthamor nën marrëveshjen e re, “administrata ka marrë hapat e duhur për të ndalur përpjekjet për reduktimin e mëtejshëm të eksporteve të naftës krudo iraniane”.

Në një deklaratë të BE-së, gjatë së hënës, thuhej se blloku ka “pezulluar disa nga masat kufizuese në BE kundër Iranit, për një periudhë 6-mujorshe”.

Më herët gjatë ditës, media shtetërore iraniane njoftoi se vendi kishte nisur mbylljen e vendpunimeve më të rëndësishme bërthamore, siç kërkohej nga marrëveshja.

Agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara, “Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore” (IAEA), konfirmoi se pasurimi i uraniumit të nivelit të lartë në mjediset e Natanz-it, në Iranin qendror, është ndalur.

Perëndimi akuzon Iranin se po përdor në mënyrë të fshehtë programin bërthamor për të ndërtuar bombën bërthamore, ndërkohë që Teherani këmbëngul se programi është tërësisht për qëllime paqësore.

Marrëveshja historike e arritur në Gjenevë, më 24 Nëntor, nxit dhënien fund të pasurimit të uraniumit në nivele të larta, në këmbim të lëshimeve kundrejt disa prej sanksioneve ekonomike.

Media shtetërore iraniane tha se autoritetet kishin ndalur pasurimin e uraniumit në 20%, duke stakuar kaskadat e centrifugave që pasuronin uraniumin. Ky nivel pasurimi ishte vetëm një hap larg krijimit të materialeve për bombën bërthamore.

Pamjet televizive tregojnë se inspektorët ndërkombëtarë ishin të pranishëm për të dëshmuar ndalimin, përpara se të largoheshin për të parë pezullimin e pasurimit në Fordo, një tjetër vend për pasurimin e uraniumit në Irnain qendror.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA