Në 8-vjetorin e vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, homazhe te varri i tij të martën kanë bërë zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të partive politike e bashkëpunëtorë të tij.

“Jemi sot këtu së bashku si qeveri e Kosovës, për të bërë nderime shtetërore për presidentin Ibrahim Rugova, për të vlerësuar kontributin e tij në letërsi, në shkencë, politikën e tij të spikatur në politikën shtetformuese të Republikës së Kosovës”, deklaroi Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa vlerësoi Rugovën si themelues të LDK-së dhe ideator të shtetit të Kosovës.

“Ne vlerësojmë lart figurën historike të Ibrahim Rugovës, kontributin e tij që e dha në kohët me të vështira si themelues i LDK-së dhe si ideator i shtetit të Kosovës. Do të punojmë vazhdimisht që projektin e tij për një shtet të pavarur, për liri, pavarësi, ta ndërtojmë edhe me tutje, në mënyrë që ky shtet të jetë shtet i cili do të punoj për qytetarët e Kosovës dhe demokracia, e cila do të kultivohet në Kosovë, të jetë shembull i një demokracie evropian”, tha Mustafa.

Për Ramush Haradinajn, kryetarin e AAK-së, “po bëjmë nderim me rastin e tetë vjetorit të ndarjes nga ne të presidentit historik, Ibrahim Rugova, në nderim të veprës së tij në shërbim të Kosovës, të shqiptarëve, të lirisë sonë, por po ashtu me mesazhet e tij që ishin për një Kosovë evropiane”.

“Me shumë vullnet e përkujtojmë presidentin tonë historik dhe jemi dëshmitar që çdo ditë po jetësohet ideja e tij”, komentoi presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Nderime u bënë edhe nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu dhe një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Ibrahim Rugovës, Nexhat Daci, i cili  tha se nuk po ndihet mirë që nuk eshte më në partinë të cilën e themeloi ai.

Pas homazheve në varrin e ish-presidentit Rugova u zhvillua një akademi përkujtimore, ku të pranishëm ishin familja e tij, udhëheqës nga radhët e LDK-së, ambasadorë të vendeve të ndryshme e bashkëpunëtorë të të tij. Ish-presidenti i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006.

Top Channel