OKB tërheq ftesën ndaj Iranit

20/01/2014 00:00

OKB tërhoqi ftesën që i bëri autoriteteve iraniane, për të marrë pjesë në konferencën e paqes për Sirinë.

Zëdhënësi i OKB-së, Martin Nesirki, kritikoi Teheranin se “dështoi në mbështetjen e planit për të formuar një qeveri tranzicioni në Siri, gjë që është në themel të kësaj konference”.

Ftesa drejtuar Iranit, vend aleat i Sirisë, revoltoi Shtetet e Bashkuara dhe Koalicionin Kombëtar Sirian, grupimi më i madh në opozitën siriane, të mbështetur nga Perëndimi.

Madje, Koalicioni Kombëtar kërcënoi se do të tërhiqej nga bisedimet, nëse nuk anulohej ftesa drejtuar Teheranit.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, tha të hënën se nuk do ta ndajë pushtetin me Koalicionin Kombëtar.

Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve AFP, Assad ritheksoi se nuk do të japë dorëheqjen si president, madje – me shumë gjasa – do të rikandidojë për mandatin e tretë.

Konflikti 3-vjeçar në Siri numëron sot mbi 100 mijë viktima. Të paktën dy milionë njerëz kanë braktisur vendin, ndërsa rreth 6,5 milionë janë zhvendosur brenda territorit të tij.

Ndërkohë, CNN dhe gazeta britanike “The Guardian” raportuan se regjimi sirian ka torturuar dhe vrarë mijëra të burgosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA