Ambasada amerikane paralajmëron zyrtarët e korruptuar se nuk do ndalet së investuari, në mënyrë që Kosovën ta bëjnë sa më armiqësore ndaj kriminelëve.

Kështu ka deklaruar Gery Hyde nga Departamenti i Thesarit të kësaj Ambasade, gjatë përurimit të depos qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara pranë Prishtinës.

“Thesari amerikan është krenar që merr pjesë në këtë inaugurim dhe përkrah Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara në luftën ndaj krimit, sidomos ndaj krimit të organizuar, duke përfshirë edhe zyrtarët e korruptuar. Kemi një ndërtesë shumë të mirë, por fatkeqësisht parkingu nuk është mbushur ende sa duhet. Do të bashkëpunojmë me kolegët tanë evropianë dhe agjencitë kosovare të zbatimit të që ta mbushim këtë vend me asete që do të konfiskohen nga kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar, që të arrijmë qëllimin tonë final, që ta bëjmë Kosovën armiqësore për kriminelët”, deklaroi Hyde.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se tashmë ka mbetur të bëhet koordinimi më i plotë i kësaj Agjencie me institucionet e tjera të drejtësisë.

“Ndoshta është një simbolikë e asaj që ne kemi funksionalizuar Agjencinë për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë ilegale. Në këtë drejtim ne kemi themeluar dhe tani është funksionale agjencia. Kemi ligjet adekuate në Kosovë dhe tani po bëjmë edhe pajisjet e tjera shtesë. Natyrisht që tani kërkohet një koordinim edhe me i plotë i agjencisë me prokurorinë, me doganat, me policinë e Kosovës dhe me institucionet e tjera e gjykatat kompetente. Por, ajo çka i ka takuar Ministrisë së Drejtësisë është infrastruktura ligjore, logjistika. Ne kemi përfunduar, agjencia është funksionale dhe presim të jetë edhe më shumë efektive”, nënvizoi Kuçi.

Depoja, në inagurimin e së cilës u bënë këto deklarata, sipas përfaqësuesit amerikan, ajo pritet të pasurohet edhe më shumë në të ardhmen nga asete të konfiskuara nga kriminelët. Depoja u zhvendos nga Lipjani në kazermën Zahir Pajazit pranë Prishtinës.

Top Channel