Procesi i Kosovës në integrimin europian dhe reformat në kuadër të axhendës europiane ishin temat kyçe, që u diskutuan nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek.

Gjatë takimit, kjo e fundit i vlerësoi si të suksesshme, organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tërë territorin e Kosovës.

Me këtë rast, presidentja Jahjaga falënderoi eurodeputeten Lunacek për kontributin e saj personal dhe për mbështetjen e gjerë të anëtarëve të Parlamentit Europian për kalimin e Rezolutës për Kosovën.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet, që do të mundësojnë përmbylljen me sukses të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, në pranverën e këtij viti. Institucionet e Republikës së Kosovës janë gjithashtu të përkushtuara për vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Jahjaga gjatë këtij takimi.

Ndërkohë, kryeministri kosovar Hashim Thaçi, nëpërmjet rrjetit social Facebook, është shprehur:

“Sapo zhvillova një takim të shkëlqyeshëm me raportuesen e Parlamentit Europian për Kosovën, znj. Ulrike Lunacek. Me këtë rast, falënderova znj. Lunacek për Rezolutën e PE për Kosovën, që bën thirrje për njohjen e shtetit të Kosovës nga ato shtete të Bashkimit Europian, që ende nuk e kanë njohur. Në takim folëm për reformën zgjedhore, për procesin e tranzicionit të misionit të EULEX-it, si dhe për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit”.

Lunacek po qëndron në Kosovë, ku gjatë këtyre ditëve do të ketë takime të ndryshme. Ndër to, ajo është takuar edhe me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Top Channel