Itali, Berlusconi rikthehet në skenën politike

20/01/2014 15:10

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, rikthehet në jetën politike të vendit, nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshje me të majtën qeverisëse për zbatimin e reformave elektorale dhe kushtetuese.

Berlusconi humbi imunitetin dhe vendin e tij në parlament në fund të 2013-s, si pjesë e dënimit të formës së prerë për evazion fiskal.

Pavarësisht kësaj, 77-vjeçari vazhdon të drejtojë “Forza Italia”-n. Marrëveshja për reformat u arrit pas bisedimeve të gjata të mbajtura midis vetë Berlusconit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Matteo Renzi.

Reformat synojnë të bëjnë më të qëndrueshëm pushtetin e qeverisë në Itali, duke reformuar sistemin elektoral dhe kushtetues.

Ligji aktual elektoral ka bërë që Italia të njohë vazhdimisht zgjedhje të parakohshme gjatë historisë së dekadave të fundit.

Aktualisht, Italia drejtohet nga një qeveri e dobët, e udhëhequr nga kryeministri Enrico Letta i PD-së, partisë që formoi koalicionin më të votuar në zgjedhjen e 2013-s, por pa mundur të formonte shumicën në Parlament.

Top Channel