Të zgjidhësh konfliktin larg Gjykatës

19/01/2014 00:00

Pranë Ministrisë së Drejtësisë rezultojnë të licensuar 266 ndërmjetësues, të cilët kanë të drejtën ligjore për të zgjidhur me anë të ndërmjetësimit konfliktet mes qytetarëve në rast se ata vendosin të mos i drejtohen gjykatës.

Por, Ministria e Drejtësisë raporton shifra të ulëta të zgjidhjes së konflikteve me anë të ndërmjetësimit: vetëm për 3 vjet, në të gjithë vendin janë zgjidhur 239 konflikte, ku kryesojnë çështje civile dhe tregtare.

Kjo zonjë i është drejtuar ndërmjetësuesit për shkak të një mosmarrëveshjeje që ka me komshinjtë për një mur rrethues. Ajo kërkon që ta zgjidhë problemin e saj me një marrëveshje, megjithëse pala tjetër nuk ka vullnet të ulet në të njëjtën tryezë.

Për ndërmjetësuesin Aleko Rrumbullaku, çështje të tilla vijnë përditë, por fare pak palët e gjejnë gjuhën e përbashkët. Më e fundit e sapozgjidhur prej tij ka lidhje me një adoleshent, i dënuar nga Gjykata me shërbim prove për një aksident që më pas ka futur në përplasje dy familje.

Duke bërë një krahasim mes institucioneve, specialisti në fushën e ndërmjetësimit Rasim Gjoka, shpjegon se shërbimi i provës sjell më së shumti dosje për një zgjidhje të tillë, ndërkohë që këtë gjë duhet ta bëjnë edhe gjykatat dhe Prokuroritë kur shikojnë se ekzsitojnë rrethanat: “Ka 10-15 raste në muaj që shkojnë për programin e ndërmjetësimit. Ka shumë raste të natyrës tregtare dhe familjare që zgjidhen me ndërmjetësim.”

Ministria e Drejtësisë raporton se për tre vitet e fundit janë regjistruar 390 çështje, prej të cilave kanë marrë zgjidhje 239, ndërkohë që për 151 të tjera nuk është arritur negocim.  

Një ndër çështjet më të rëndësishme që është zgjidhur me anë të ndërmjetësimit është ajo e konfliktit për ujësjellësin mes banorëve të dy fshatrave në një komunë të Bulqizës, ndërkohë që një çështje tjetër ende nën proces negociatash  është në komunën e Zharrës, pas protestave të banorëve për lëkundjet e tokës.

“Nëse nuk ndryshohet ligji i ndërmjetësimit, ai do të jetë një ligj i mirë në letër, por jo i aplikueshëm”, thotë Rasim Gjoka.

Top Channel