
Autoritetet australiane dhanë alarmin për zjarre jashtë kontrollit në disa zona të Australisë jugore, ndërsa flakët po i afrohen rrezikshëm zonave të banuara.
Me qindra zjarrfikës dhe dhjetra mjete tokësore e ajrore janë angazhuar në betejën kundër flakëve, që deri tani ende nuk ka shënuar suksese të dukshme.
Sipas policisë, disa shtëpi të izoluara tashmë janë djegur, por fatmirësisht ende nuk ka raporte për viktima apo atë plagosur.
Era e fortë dhe temperaturat e larta i kanë dhënë më shumë fuqi zjarreve të dendura, ndërsa kanë vështirësuar në maksimum punën e zjarrfikësve.
Me qindra njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të flakëve, që kanë sjellë kushtet më të rënda që nga e shtuna e zezë e vitit 2009, kur dhjetra njerëz humbën jetën nga zjarret.
Meteorologët kanë paralajmëruar banorët e zonave në rrezik, por edhe autoritetet, që të tregohen të kujdesshëm, pasi kushtet e motit të nxehtë do të vazhdojnë ende.
Madje, ata thonë se priten ditë të gjata të nxehta në javët në vazhdim, që jo vetëm përkeqësojnë situatën e zjarreve, por ngrenë pyetje për pozicionin e Australisë si një superfuqi bujqësore.
Top Channel