
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka paralajmëruar regjimin sirian se do të dështojë, nëse përpiqet të ndryshojë objektivin e bisedimeve të paqes së javës së ardhshme, që mbetet krijimi i një qeverie të re.
Ministri i Jashtëm sirian deklaroi gjatë së premtes se i kishte dorëzuar Rusisë planet për armëpushim në Aleppo, si dhe është gati të ofrojë një listë me forca rebele, përkundrejt këmbimit të të burgosurve nga forcat qeveritare.
Gjatë së premtes, në një konferencë për shtyp në Moskë, ministri i Jashtëm sirian, Walid al-Muallem, tha se i kishe dhënë homologut rus, Sergey Lavrov, detajet e armëpushimit, si dhe planet për një këmbim të burgosurish dhe hapjen e rrugëve për ndihmat humanitare në Siri.
“Duke marrë në konsideratë rolin e Federatës Ruse në dhënien fund të gjakderdhjes në Siri, ashtu si dhe marrëdhëniet tona të mirëbesimit, i kam dorëzuar ministrit Lavrov sot (e premte) një plan për masat e sigurisë në Aleppo”, tha Muallem.
“Me këtë veprim, i kërkova ministrit Lavrov të përdorte kontaktet e tij për implementimin e këtij plani dhe për të caktuar një periudhë specifike se kur do të ndërpriten të gjitha veprimet ushtarake në këtë zonë”.
Por, Kerry tha se ky njoftim ishte një përpjekje për të devijuar qëllimin e “Gjeneva 2” mbi implementimin e marrëveshjeve të arritura në “Gjeneva 1”.
“S’jam aspak i befasuar, ju e dini, që ai po përpiqet të devijojë këtë gjë. E ka bërë këtë gjë prej muajsh, duke u përpjekur ta konsiderojë veten si mbrojtësin e Sirisë kundër ekstremistëve”, tha Kerry për Assad.
Kerry hodhi poshtë komentet e regjimit sirian, se bisedimet e paqes “Gjeneva 2” do të mbahen për të diskutuar mënyrat se si do të luftohet rritja e grupeve të terroristëve, që po shqetësojnë vazhdimisht vendin.
Duke folur të premten, Kerry akuzoi presidentin sirian Bashar al-Assad, se ka financuar dhe i u ka lëshuar territorin luftëtarëve të vijës së ashpër, në mënyrë që të shtojë frikën mes grupeve rebele.
“Askush nuk është budalla dhe nuk duhet të mashtrohet, – tha Kerry. – Ata mund të mburren, të protestojnë, të shtrembërojnë, në fund të fundit e vërteta është se po shkojmë në Gjenevë për të implementuar ‘Gjeneva 1’ dhe, nëse Assad nuk do ta bëjë këtë, ai do të marrë mbrapsht një përgjigje edhe më të fuqishme”.
Kerry theksoi gjithashtu çështjen se bisedimet do të jenë të suksesshme, vetëm nëse regjimi sirian do të pranojë një qeveri tranzicioni.
“Besoj se, teksa bëhemi gati për t’u takuar në Gjenevë dhe për të nisur këtë proces, do të bëhet edhe më e qartë se nuk ka kurrfarë zgjidhje politike, nëse Assad nuk do të pranojë diskutimet për tranzicion dhe nëse mendon se do të jetë pjesë e së ardhmes. Kjo nuk do të ndodhë”, tha Kerry.
Top Channel