Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj po vazhdon turneun diplomatik në Europë ku pas Andorës ka qëndruar në Monako. Në vizitën e parë zyrtare, ministri Hoxhaj ka takuar homologun e tij, José Badia, me të cilin kanë folur për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe koordinimin e aktiviteteve në disa prej nismave të ardhshme të Kosovës për aplikim në organizata ndërkombëtare.

“Në takimin që kisha me ministrin e Punëve të Jashtme të Monakos u dakorduam që Monako dhe Kosova ta thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë e cila marrëveshje do të duhej ta inicionte dhe rregullonte këtë bashkëpunim në disa fusha të jetës, prej ekonomisë, tregtisë, shkencës, arsimit, kulturës e sportit, dhe në të ardhmen ndërmjet qeverive tona të ketë edhe persona përgjegjës që do të duhej ta koordinojnë një bashkëpunim të tillë. Po ashtu, unë kërkova nga ai që Monako ta mbështet Kosovën në rrugën e saj të anëtarësimit në disa organizma evropianë dhe global. Mora mbështetje konkrete në këtë drejtim dhe meqë viti 2014 do të jetë vit i Kosovës multilaterale dhe aplikimi i jonë në organizata do të jetë prioritet mbi prioritetet, unë besoj që Monako sikurse shtetet e tjera që kam vizituar do të jenë mbështetëse të fuqishme të Republikës së Kosovës”, deklaroi ministri Enver Hoxhaj.

Gatishmëri për ta përkrahur Kosovën në të gjitha nismat dhe fushat shprehu ministri i Jashtëm i Monakos, Jose Badia.

“Jam veçanërisht i kënaqur që e kam takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës. Besoj që kemi gjetur pika të përbashkëta dhe të cilat i kemi identifikuar nga ana e jonë. Besoj se bashkëpunimi ndërmjet Monakos dhe Kosovës jo vetëm që është i mundshëm por është edhe i dëshirueshëm. Monako mbështet zhvillimin, pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare dhe jemi shumë të interesuar për ta përcjellur zhvillimin e vendit tuaj në këtë kontekst”, ka thënë ministri Badia.

Shefi i diplomacisë kosovare ka qëndruar në Monako pas vizitës në Irlandë, Paris dhe Andorra ku është takuar me zyrtarë të lartë të këtyre vendeve me qëllim të koordinimit të agjendës evropiane dhe multilaterale të Kosovës, veçmas procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta