Meksikë, zëvendësohen shefat e sigurisë

18/01/2014 00:00

Autoritetet meksikane kanë deklaruar se zyrtarët më të lartë të sigurisë në shtetin perëndimor të Mikoaçanit do të zëvendësohen për shkak të dhunës së regjistruar në muajt e fundit.

Qindra trupa janë vendosur në këtë shtet për të rivendosur rendin, pasi grupet e vetëmbrojtjes, siç njihen ndryshe njësitë qytetare që luftojnë kartelet, u përleshën me këto të fundit.

Por shumë qytetarë që bëjnë pjesë në këto njësi kanë refuzuar thirrjen e autoriteteve për të ulur armët, pavarësisht garancive të qeverisë federale se grupet e vetëmbrojtjes nuk janë objektiv i operacioneve të sigurisë.

Guvernatori Fausto Vallejo deklaroi se konkretisht do të zëvendësohen prokurori i përgjithshëm i Mikoaçanit dhe drejtori i përgjithshëm i policisë së këtij shteti.

Ndërsa ministri i Brendshëm Miguel Angel Osorio deklaroi më herët gjatë javës se dëshironte të bindte qytetarët se shteti do ta bëjë detyrën e tij.

Ai tha gjithashtu se forcat e sigurisë kanë identifikuar liderët e kartelit të drogës Kalorësit Templarë dhe se janë vënë në kërkim të tyre.

Dy të dyshuar si anëtarë të organizatës kriminale u arrestuan ditën e mërkurë, por grupet qytetare të vetëmbrojtjes e shpërfillën lajmin duke thënë se ishin vetëm dy “peshq të vegjël”.

Ata akuzojnë qeverinë se nuk bën sa duhet për të mbrojtur banorët nga zhvatja dhe dhuna e kryer nga banda mizore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA