Bisedimet, opozita siriane pranon pjesëmarrjen

18/01/2014 00:00

Koalicioni Kombëtar Sirian, fraksioni më i madh i rebelëve të armatosur në luftën 3-vjecare kundër presidentit Bashar al-Assad dhe i mbështetur nga perëndimi, vendosi pjesëmarrjen në bisedimet e paqes në Gjenevë.

Anëtarët e këtij koalicioni votuan pro pjesëmarres ditën e shtunë në përfundim të një takimi 2-ditor në qytetin e Stambollit në Turqi.

Koalicioni ndodhej nën trysninë e ndërkombëtarëve për të marrë pjesë në bisedime. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i bëri thirrje opozitës siriane, që t’i bashkohet bisedimeve për paqe të javës së ardhshme.

Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për një votë pro pjesëmarrjes”, tha Kerry përpara takimit të Koalicionit Kombëtar Sirian. Ai e përshkroi konferencën e paqes së 21 Janarit në Zvicër, si nisjen e një procesi “që shënon mundësinë më të mirë për opozitën në arritjen e objektivave të popullit sirian dhe revolucionit”.

Në bisedimet e asaj që quhet “Gjeneva 2” do të përfshihet propozimi për krijimin e një qeveri tranzicioni. Rebelët kërkojnë përjashtimin nga cdo rol të Bashar al-Assad në qeverinë e re, ndërsa Damasku refuzon kushtëzimin e bisedimeve.

Ndërkohë, të premten Damasku propozoi një shkëmbim robërish lufte dhe një plan armëpushimi me rebelët në qytetin e Aleppo-s, sheshbeteja më e ashpër e luftimeve mes forcave të presidentit Bashar al-Assad dhe atyre opozitare.

Duke folur nga Moska pas një takimi me homolgun rus, Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm sirian, Ëalid Muallem bëri publike propozimet e qeverisë së tij, propozime këto që mbërrijnë në kohën kur ndërkombëtarët po përpiqen të ulin në të njëjtën tavolinë për të dytën herë në Gjenevë palët në konflikt.

Konflikti 3-vjeçar i armatosur u ka marrë jetën mbi 100 mijë personave, dy milion kanë lënë vendin dhe 6.5 milion të tjerë janë zhvendosur brenda territorit duke shkaktuar një krizë humanitare për gjysmën e popullsisë totale të vendit.

Kombet e Bashkuara bënë thirrje për ndihma urgjente për të parandaluar katastrofën.

Ndërkohë, armët kimike siriane që lanë portin e Latakias në fillim të këtij viti janë drejtuar porteve italiane në Kalabri nga ku do të ngarkohen në anijet amerikane për t’u shkatërruar më pas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA