Azilkërkuesja afgane: Më mirë të vdes

18/01/2014 00:00

Qindra azilkërkues afganë po protestojnë në Belgjikë kundër kthimit në
vendin e lindjes. Gazetari i BBC, Duncan Crawford ka bërë një reportazh
në një kamp çadrash në Bruksel, ku familjet afgane deklarojnë se kthimi
me forcë në vendin e tyre është i barabartë me vdekjen.

E ulur brenda në çadrën e saj, 27-vjeçarja Marwa Mahbub sqaron përse refuzon të kthehet në Afganistan. “Jeta ime është në rrezik në Afganistan. Unë kam probleme me talebanët, shumica e njerëzve këtu kanë probleme me ta”, thotë ajo.

Marwa është mes më shumë se 200 afganëve, të cilët që kur mbaroi 2013 kanë ngritur shtëpitë e improvizuara në kishën kryesore të Brukselit, e kthyer në një fshat çadrash.

Me origjinë nga provinca e Helmandit, ajo thotë se u largua nga Afganistani në vitin 2008, pasi mori kërcënime me vdekje nga talebanët për promovim të të drejtave të grave.

Pavarësisht se ka aplikuar vazhdimisht për azil në Belgjikë, kërkesat e saj janë refuzuar. “Do të preferoja të vdisja këtu sesa të kthehesha në Afganistan”, thotë sërish Marwa, nënë e një vajze 6-vjeçare dhe një djali 4 vjeç, që luajnë në ulur në tokë.

Mbi 1.300 afganë aplikuan për azil në Belgjikë vitin e kaluar, sipas të dhënave të zyrës evropiane të statistikave EUROSTAT, që shton se mbi 20 mijë të tjerë kërkuan azil nëpër vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA