
Deputetët besnikë ndaj presidentit të Ukrainës, Viktor Yanykovych, kanë nxituar të miratojnë legjislacionet, që synojnë të frenojnë protestat e vazhdueshme antiqeveritare.
Ndryshimet përfshijnë ndalimin e ngritjes së tendave të paautorizuara në zona publike, si dhe përgjegjësitë penale për shpifjet ndaj zyrtarëve të qeverisë.
Ligjet kaluan me një “show” të shpejtë e me ngritje duarsh, në vend të sistemit të zakonshëm elektronik, që përdoret për votimin e tyre. Opozita tha se ky veprim ishte i jashtëligjshëm, duke akuzuar partinë në pushtet për një grusht-shteti.
Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Bashkimit Europian kanë shprehur shqetësimin e thellë mbi projektligjet e reja. Opozita ukrainase paralajmëroi se ky veprim do të nxisë edhe më tej lëvizjen protestuese, e cila do të bëjë thirrje për një miting masiv në kryeqytetin Kiev, ditën e diel.
Protestuesit antiqeveritarë janë mbledhur vazhdimisht nëpër kampe, duke vendosur edhe barrikada të gjera në sheshin “Pavarësia” të Kievit, të njohur edhe si “Euromaidan”, prej afro 2 muajsh.
Demonstratat masive u nxitën fillimisht nga refuzimi në minutën e fundit të presidentit Yanukovych për firmosjen e një marrëveshjeje me BE-në, nën presionin e fuqishëm nga Rusia.
Kërkesat e protestuesve u zgjeruan në vijim, duke përfshirë edhe luftimin kundër asaj që ata e quajnë korrupsion qeveritar të përhapur gjerësisht dhe abuzim me pushtetin.
Top Channel