Shkëmbim robërish dhe armëpushim

17/01/2014 00:00

Damasku propozoi një shkëmbim robërish lufte dhe një plan armëpushimi me rebelët në qytetin e Aleppo-s, sheshbeteja më e ashpër e luftimeve mes forcave të presidentit Bashar al-Assad dhe atyre opozitare.

Duke folur nga Moska pas një takimi me homolgun rus, Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm sirian, Ëalid Muallem bëri publike propozimet e qeverisë së tij, propozime këto që mbërrijnë në kohën kur ndërkombëtarët po përpiqen të ulin në të njëjtën tavolinë për të dytën herë në Gjenevë palët në konflikt.

Koalicioni Kombëtar Sirian, organizmi i forcave rebele që mbështetet nga perëndimi mblidhet në Stamboll për të diskutuar pjesëmarrjen apo jo në këto bisedime. Koalicioni ndodhet nën trysninë e ndërkombëtarëve për të marrë pjesë në bisedime, por kjo mbetet për t’u parë pasi shumë prej anëtarëve të tij bëjnë thirrje për bojkot.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë thirrje ndaj opozitës siriane, që t’i bashkohet bisedimeve për paqe të javës së ardhshme.

Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për një votë pro pjesëmarrjes”, tha Kerry përpara takimit të Koalicionit Kombëtar Sirian. Ai e përshkroi konferencën e paqes së 21 Janarit në Zvicër, si nisjen e një procesi “që shënon mundësinë më të mirë për opozitën në arritjen e objektivave të popullit sirian dhe revolucionit”.

Në bisedimet e asaj që quhet “Gjeneva 2” do të përfshihet propozimi për krijimin e një qeveri tranzicioni. Rebelët kërkojnë përjashtimin nga cdo rol të Bashar al-Assad në qeverinë e re, ndërsa Damasku refuzon kushtëzimin e bisedimeve.

Konflikti 3-vjeçar i armatosur u ka marrë jetën mbi 100 mijë personave, dy milion kanë lënë vendin dhe 6.5 milion të tjerë janë zhvendosur brenda territorit duke shkaktuar një krizë humanitare për gjysmën e popullsisë totale të vendit.

Kombet e Bashkuara bënë thirrje për ndihma urgjente për të parandaluar katastrofën.

Ndërkohë, armët kimike siriane që lanë portin e Latakias në fillim të këtij viti janë drejtuar porteve italiane në Kalabri nga ku do të ngarkohen në anijet amerikane për t’u shkatërruar më pas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA