“Ronaldo, Zidane dhe shokët”, për Filipinet

17/01/2014 00:00

Arbitri legjendar, 6 herë fitues i çmimit “Gjyqtari më i mirë i Botës”, Pierluigi Collina, si dhe futbollistë nga e gjithë bota, si Deco, Pavel Nedved, Roberto Carlos e Fernando Hierro, janë mes personaliteteve që kanë konfirmuar pjesëmarrjen, së bashku me Ronaldo-n (Fenomenin) dhe Zinedine Zidane, në ndeshjen e përvitshme kundër varfërisë, për të 11-tin vit radhazi, që do të zhvillohet më 4 Mars në “Stade de Suisse”, stadiumin kombëtar të Zvicrës, në Bernë.

Të ardhurat nga ndeshja do të shkojnë në mbështetje të përpjekjeve për rikuperimin e Filipineve nga tajfuni Haiyan, një nga stuhitë më të fuqishme që janë shënuar në histori, që goditi Filipinet më 8 Nëntor.

Gjyqtari i takimit, për të nëntën herë, do të jetë arbitri legjendar Pierluigi Collina. “Gjithmonë inspirohem, kur një ndeshje futbolli është më shumë se sa kaq”, tha Collina. “Ndeshja e 11-të kundër varfërisë jo vetëm që do të shërbejë për të shënuar gola për lojtarët që do të luajnë, por edhe për popullin e Filipineve. Është një nder për mua të gjykoj një ndeshje të tillë”.

UNDP do të marrë 2/3-tat e të ardhurave nga ndeshja, të cilat do të përdoren për t’i dhënë një shtysë përpjekjeve për rikuperim në Filipine, ku më shumë se 5 mijë njerëz kanë humbur jetën nga tajfuni Haiyan, si dhe rreth 11,8 milionë njerëz janë prekur prej tij, nga të cilët 995 mijë janë zhvendosur dhe ende nuk kanë gjetur strehim.

Young Boys, një nga ekipet elitare të Zvicrës, do t’ia dhurojë 1/3-tat e mbetura të fitimeve partnerit të klubit për bamirësi, “Laureus  Foundation Sëitzerland”, për të mbështetur projekte që kanë lidhje me futbollin.

Lista e parë e lojtarëve të konfirmuar në ekipin “Ronaldo, Zidane dhe Shokët” janë Ronald de Boer (Holanda), Steve McManaman (Anglia), Robert Pires, Claude Makelele dhe Youri Djorkaeff (Franca), Jens Lehmann (Gjermania), Gaizka Mendieta, Fernando Hierro dhe Michel Salgado (Spanja), Paulo Sousa dhe Deco (Portugalia), Roberto Carlos (Brazili) dhe Pavel Nedved (Çekia).

Ndeshja e bamirësisë do të transmetohet globalisht dhe do të mbështetet si nga FIFA edhe nga UEFA. Takimi do të nisë më 20:00 të 4 Marsit 2014, në Bernë.

Top Channel