Qëndrimi pro-palestinez, Izraeli kritikon BE-në

17/01/2014 15:30

Izraeli thirri ambasadorët e Britanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës, për t’u paraqitur atyre një notë proteste për shkak të atij që Izraeli e interpreton si një qëndrim “pro-palestinez”.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Izraelit, “qëndrimi i vazhdueshëm pro-palestinez” i këtyre vendeve të BE-së është bërë i papranueshëm.

Ditën e enjte, të njëjtat vende thirrën ambasadorët izraelitë në kryeqytetet e tyre, për t’i paraqitur protestën zyrtare kundër planeve të Izraelit për të ngritur vendbanime të reja në territorin e pushtuar palestinez.

Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, i ka konsideruar këto vendbanime si një pengesë për paqen.

“Është koha për të ndalur këtë hipokrizi dhe për të injektuar pak barazpeshë dhe arsye në çështjen tonë te hapur me Palestinen”, deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

“BE thirri ambasadorët tanë sepse kemi vendosur të ngremë disa banesa, por nuk më kujtohet që BE të ketë thirrur përfaqësuesit palestinezë për të protestuar ndaj thirrjeve të drejtuesve të tyre politikë për shkatërrimin e Izraelit”, shtoi Netanyahu, në një konferencë për shtyp me gazetarë të huaj.

Mbi 500 mijë hebrenj jetojnë në vendbanimet e ndërtuara përtej kufijve izraelitë të 1967-s, në tokën e pushtuar palestineze.

Në bazë të ligjit ndërkombëtar, këto vendbanime konsiderohen si të jashtëligjshme, por Izraeli nuk e ka pranuar këtë konstatim, duke ofruar argumenta të njëanshëm për të justifikuar veprimet e Tel Avivit zyrtar.

Top Channel