Emra të qeverisë së Kosovës janë pjesë e dosjes hetimore për vrasjen veprimtarëve të çështjes kombëtare Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, e cila ndodhi 32 vjet më parë në Gjermani.

Ky ishte informacioni të cilin e publikoi vajza e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla, në prag të 32-vjetorit të vrasjes së babait të saj, në një kohë kur vrasësit mbeten anonimë.

Ndonëse zonja Gërvalla nuk foli me emra konkretë, sipas portalit kosovar pashtriku.org, zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli është zyrtari qeveritar i përfshirë në dosjen hetimore të vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës në vitin 1982 në Gjermani.

Portali citon një burim anonim sipas të cilit Pacolli ditën e vrasjes, më 17 janar 1982, ka qenë në Tiranë, ndërkohë që automjeti i tij, të cilin ai e kishte deklaruar të vjedhur dyshohet se është përdorur gjatë kohës së vrasjes.

I kontaktuar për këtë çështje këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zymberi tha se do të kërkojë nga Donika Gërvalla që ta përgënjeshtrojë këtë lajm.

Vetë zonja Gërvalla në një komunikim me telefon, e pyetur nëse mund ta konfirmojë informacionin, u përgjigj negavitivisht duke thënë: “Unë çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë në intervista dhe nuk do të komentoj fare spekulimet e gazetave”.

Gërvalla në intervistën e saj për KTV-në ka thënë se rasti është në duart e dretjësisë gjermane, duke i lënë kështu engimë emrat e zyrtarëve qeveritarë të cilët sipas saj janë të përfshirë në këtë dosje.

E ndërsa duket se rasti do ende kohë të zbardhet, për disa vite rresht është bërë e qartë se me gjithë moszbulimin e rrjetit të njerëzve që kryen këtë vrasje, ajo u krye me urdhër të shërbimit sekret jugosllav.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA