Ekonomia shqiptare vijon rënien

17/01/2014 00:00

Ndërsa Eurozona dhe vendet e rajonit po ringrihen nga kriza, ekonomia shqiptare po shkon në drejtimin e kundërt.Që nga fillimi i recesionit botëror, Shqipëria ka qenë vendi me rritjen
më të lartë në Ballkan, përveç Kosovës. Sipas Bankës Botërore, në
periudhën 2008-2012, Prodhimi Kombëtar u rrit me rreth 13 për qind, kur
në shumicën e vendeve të rajonit, rritja ka qenë negative.

Por vitin e kaluar tendenca u përmbys. Shqipëria jo vetëm që humbi kryesimin e rritjes ekonomike në ballkan, por ishte sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore vendi me rritjen më të ulët, përveç Bosnjes. Sipas FMN, ekonomite e 5 vendeve te Ballkanit që nuk janë pjesë e BE-së shënuan ne 2013 nje rritje mesatare 1.7 për qind.

Në Shqipëri vlerësimi më i fundit zyrtar ishte 1.3 për qind, por rënia e fortë e prodhimit në tremujorin e tretë e bën edhe këtë shifër të pamundur çka do të thotë se hendeku me vendet e tjera do të jetë edhe më i madh.

Por 2013 nuk ishte një rast i izoluar. Dy ditë më parë Banka Botërore publikoi raporti e prespektivës ekonomike botërore, ku vlerëson se edhe këtë vit Shqipëria do të jetë sërish ndër vendet me rritjen më të ulët ndër ekonomitë në zhvillim të Europës dhe Zzisë. Madje sipas Bankës kjo situatë do të vazhdojë edhe për tre vitet në vijim deri në 2018.

Por pse Shqipëria po mbetet pas vendeve të tjera? Banka Botërore thotë se arsyet janë disa, por dy qëndrojnë mbi të gjitha dhe lidhen të dyja me dobësi të brendshme të ekonomisë. E para, ka të bëjë me nivelin e lartë të kredive të këqija, që ka detyruar ristrukturimin e sektorit bankar dhe tkurrjen e kredisë. Ndërsa, arsyeja e dytë është kriza e financave të Qeverisë, që imponon shtrëngimin e buxhetit dhe politikës fiskale. Taksa më të larta dhe nga viti i ardhshëm edhe shkurtim shpenzimesh. Të dy këta faktorë dobësojnë edhe më shumë kërkesën e brendshme sakaq të ndrydhur, duke frenuar rritjen ekonomike dhe duke e lënë Shqipërinë, vendin me të ardhurat më të ulëta në rajon veç Bosnjes, sërish në fund.

Top Channel